July 10, 2014 - Admin
PËRFSHIRJA E TË DREJTAVE TË NJERIUT SI TË DREJTA THEMELORE NË KUSHTETUTAT KOMBËTARE
Mr. Mevludin MUSTAFI
Abstract
Seen in this light, can evaluate national constitutions have a legal and moral character correlation of state legislation, mutual legal way when it comes to the universality of human rights and fundamental freedoms as a legal category. Regarding Human Rights as a part of the International Law appreciate that logic support for the protection of Human Rights and Fundamental Freedoms and peace strategies try affect strait in these links in national constitutions.
National constitution presented by the creation of status and legal rules before, and most have given impetus bourgeois revolutions. These revolutions enabled anyone women, men, teenagers and children need to know and understand their human rights that are relevant to their interests and goals. This can be achieved through education and learning for Human Rights, this education can be official, unofficial or informal.
Abstrakt
Parë në këtë prizëm, mund të vlerësojmë se kushtetutat kombëtare kanë një ndërlidhje të karakterit moral dhe atë juridike të legjislacioneve të shteteve, në mënyrë juridike të ndërsjellë kur është në pyetje universaliteti i të drejtave të njeriut dhe të lirive themelore si kategori juridike. Për sa u përket të Drejtave të Njeriut si pjesë e së Drejtës Ndërkombëtare vlerësojmë se në mbështetje të logjikës së mbrojtjes së të Drejtave dhe Lirive Themelore të Njeriut dhe strategjive të e paqes përpiqen të ndikojnë drejtpërsëdrejti në këto lidhje në kushtetutat kombëtare.
Kushtetuat kombëtare janë paraqitur me krijimin e shteteve dhe rregullave të para juridike, kurse shtytje më të madhe u kanë dhënë revolucionet borgjeze. Këto revolucione mundësuan që çdokush gratë, burrat, të rinjtë dhe fëmijët duhet t’i dinë dhe kuptojnë të drejtat e tyre njerëzore, që janë të rëndësishme për interesat dhe qëllimet e tyre. Kjo mund të arrihet përmes arsimimit dhe mësimit për të Drejtat e Njeriut, arsimim ky që mund të jetë zyrtar, jozyrtar ose joformal.
1. ROLI I KUSHTETUTAVE KOMBËTARE NË KËNDVËSHTRIMIN E PËRCAKTIMIT TË TË DREJTAVE TË NJEIRUT
Kuptimi i parimeve dhe procedurave të të drejtave të njeriut, ua mundëson njerëzve të marrin pjesë në vendimet që përcaktojnë jetën e tyre, të punojnë drejt zgjidhjes së konflikteve dhe ruajtjes së paqes të bazuar në të drejtat e njeriut, e cila është një strategji frytdhënëse e bazuar në interesat e popullit për zhvillim njerëzor, social dhe ekonomik. Arsimimin për të Drejta të Njeriut duhet ta bëjnë të gjitha palët ose pjesëmarrësit, shoqëria civile, sikurse edhe qeveritë dhe kompanitë transnacionale. Përmes njohurive për të drejtat e njeriut, mund të zhvillohet vërtet një “kulturë mbi të drejtat e njeriut”, e bazuar në respektimin, mbrojtjen, përmbushjen, zbatimin dhe praktikimin e të drejtave të njeriut.
Përveç që të drejtat e njeriut janë një instrument esencial për parandalimin e konfliktit, ato janë gjithashtu bërthamë e konceptit të ndërtimit të qeverisjes dhe demokracisë. Gjithashtu, ato ofrojnë bazë që përmes pjesëmarrjes aktive, ngritjes së transparencës dhe ngritjes së përgjegjësisë, të bëjnë trajtimin e problemeve shoqërore dhe globale.[2]
2.1 Lufta për të Drejtat e Njeriut deri në kohën më të re trajtoheshin si çështje të kompetencës së brendshme të shteteve.
Lufta për të Drejtat e Njeriut deri në kohën më të re trajtoheshin si çështje të kompetencës së brendshme të shteteve. Megjithëkëtë bashkësia ndërkombëtare dhe civilizimi modern ndërkombëtar në mbështetje të krijimit të organizatave të përgjithshme ndërkombëtare për të ndaluar diskriminimin, aparteidit, mbrojtjen e refugjatëve, gjenocidin, konfliktet e armatosura, përpjekjet për ndalimin ose kufizimin e luftës, dhe njëkohësisht nëpërmjet këtyre organizatave ndërkombëtare si Lidhja e Kombeve dhe Kombet e Bashkuara jetësuan rregulla juridike dhe parime me plotfuqishmëri ndërkombëtare për mbrojtjen e kategorive të caktuara dhe përgjegjësi juridike për krimet kundër paqes, krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
Me gjithë përparimin e arritur në mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe të lirive themelore si kategori juridike e cila është evidente me rezultate konkrete për sendërtimin e plotë në jetësimin e të Drejtave të Njeriut me karakter ndërkombëtar, epoka e fundit ose e ashtuquajtura “epoka terroriste” shkaktoi emocionin e dyshimit për të drejtën ndërkombëtare ku shpeshherë nga analistët dhe ekspertët shkencor është bërë objekt i kritikës, se ajo përshkruan dhe konservon statusin përkatës të“jo-paqes”.
Kjo është vetëm pjesërisht e saktë dhe vetëm parë në retrospektivë – e justifikueshme, ku në shumë vende të botës shkelen në mënyrë brutale të drejtat e njeriut dhe liritë themelore. Shtetet, sipas parimit të mosdiskriminimit, duhet të respektojnë dhe t’u sigurojnë të gjithë individëve brenda territorit të tyre, të gjitha të drejtat pa asnjë lloj diskriminimi, të bazuar qoftë në racë, ngjyrë, gjini, gjuhë, religjion, opinion politik ose tjetër, origjinë kombëtare ose sociale, pronë, lindje ose ndonjë status tjetër. [3]
Për më tepër, Protokoli Shtesë Nr. 12 i Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, ofron të drejtën e përgjithshme për mosdiskriminim nga ana e çfarëdo autoriteti publik.
Koncepti bazë, në të cilin bazohej e Drejta Ndërkombëtare për mbrojtjen e të drejtave të njeriut e kohëve moderne, ishte ai i rendit. Ky nuk kishte për pasojë heqjen e luftës, por „kujdesin“ treguar ndaj saj (Carl Schmitt). Rendi, si jo-luftë, ishte padyshim në dobi të paqes. Me kufizimin dhe vënien nën rend të luftës reduktoheshin edhe tmerret, që mbartte me vete përdorimi i pafre i dhunës.
Lufta u shndërrua në një mjet të njohur të politikës, i cili mund të përdorej në mënyrë të kufizuar, pra edhe suksesin do ta kishte të kufizuar. Përdorimi i saj u kodifikua nga e drejta ndërkombëtare klasike, që ishte në fuqi deri në luftën e parë botërore. Kjo nuk përmbante strategji paqeje në kuptimin e vërtetë të fjalës, por rregullonte përdorimin e luftës për të mbrojtur të Drejtat e Njeriut mbështetur në të Drejtën Humanitare Ndërkombëtare, duke reflektuar kështu interesat e shtetit territorial dhe të absolutizmit, të cilët orientoheshin më pak nga asgjësimi i tokave dhe njerëzve se sa nga përfitimi i tyre.[4]Për këtë qëllim mund të përdoreshin jo vetëm mjete të dhunshme por edhe të padhunshme.
2.2 Kushtetutat kombëtare dhe njësimi me standardet e të Drejtave të Njeriut në nivel universal
Historia aktuale e vënies së standardeve në nivel global ka filluar me Deklaratën Universale për të Drejtat e Njeriut (UDHR), të miratuar me 10 dhjetor 1948 nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-së, si pasojë e Luftës së Dytë Botërore, gjatë së cilës janë parë shkeljet më të mëdha të të drejtave që kanë ndodhur ndonjëherë. Parandalimi dhe ndëshkimi i gjenocidit, sikurse ai ndaj hebrenjve, që ka ndodhur gjatë holokaustit, është objekt i “Konventës për Parandalimin dhe Ndëshkimin e Krimeve të Gjenocidit”, të miratuar vetëm një ditë më herët se UDHR. Duke dashur që përkushtimet e theksuara në UDHR të përkthehen në gjuhë të obligimeve ligjore, Komisioni i OKB-së për të Drejta të Njeriut, hartoi dy Pakte, një për të drejtat civile dhe politike (ICCPR) dhe një për të drejtat ekonomike, sociale dhe kulturore (ICESCR). Për shkak të Luftës së Ftohtë, ato janë miratuar tek në vitin 1966 dhe pasi që janë ratifikuar nga 35 shtete, në vitin 1976, kanë hyrë në fuqi. Më 1 Janar të vitit 2003, këto pakte kanë pasur 149, respektivisht 146 shtete anëtare. Së pari është miratuar ICESCR si preferencë e shumicës së shteteve të reja socialiste në zhvillim për të drejtat ekonomike, sociale dhe kulturore. Gjatë viteve të 60-ta, lufta kundër diskriminimit racor dhe aparteidit, arriti kulminacionin, që rezultoi me dy konventa: atë kundër diskriminimit racor dhe ndalimin e krimeve të aparteidit. Më pas, janë miratuar konventa tjera për eliminimin e të gjitha formave të diskriminimit kundër gruas, torturës dhe trajtimeve ose dënimeve tjera mizore, çnjerëzore dhe poshtëruese dhe konventa për të drejtat e fëmijëve.
Këto konventa sqaruan dhe saktësuan më tutje nenet e pakteve, si dhe përqendruan vëmendjen në nevojat njerëzore të grupeve të caktuara. Në rastin e konventës së grave të vitit 1979, “problemi i rezervave”, që është problem i përgjithshëm i traktateve mbi të drejtat e njeriut, përfitoi rëndësi të posaçme, kur një numër i shteteve islamike bënë përpjekje që në këtë mënyrë të kufizojnë të drejtat elementare të grave. Sidoqoftë, ekziston mundësia e përjashtimeve dhe e përdorimit të tërheqjes nga klauzolat. Në rastet e jashtëzakonshme ose të kërcënimit ndaj kombit, nëse gjendja e jashtëzakonshme shpallet zyrtarisht dhe nëse ndërmerren masa brenda kufijve të domosdoshëm të situatës së krijuar, shteti mund të tërhiqet nga disa obligime të tij. Masat e tilla duhet të merren në baza jodiskriminuese (Neni 4 (1) ICCPR). Për këto raste, ekzistojnë procedura të cila duhet të respektohet, siç është ajo e njoftimit të shteteve të tjera anëtare përmes Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara.
Mund të potencojmë se nuk lejohet asnjë kufizim nga disa dispozita siç janë ato mbi të drejtën për jetë, ndalimin e torturës dhe skllavërisë, joretroaktivitetin e veprave penale, lirinë e të menduarit, ndërgjegjes dhe të besimit (Neni 4 (2) ICCPR), etj. Kështu që, këto të drejta njihen si të drejta të patjetërsueshme. Këto dispozita emërgjente, kanë përfituar një rëndësi më të madhe në luftën kundër terrorizmit. Dispozita të ngjashme gjenden edhe në Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut[5]. Komisioni i OKB-së për të Drejtat Civile dhe Politike, në Komentin e Përgjithshëm[6], ka sqaruar detyrimet shtetërore në rastet e “gjendjes së jashtëzakonshme” (Neni 4), gjithashtu Komisioni Interamerikan për të Drejtat e Njeriut dhe Komiteti Drejtues për të Drejtat e Njeriut në Këshillin e Evropës, kanë miratuar një raport dhe një udhëzim lidhur me “Terrorizmin dhe të Drejtat e Njeriut”.
Disa të drejta mund të përmbajnë të ashtuquajturën “klauzolë për tërheqje”, e cila lejon kufizimin e të drejtave të caktuara, nëse është e domosdoshme për siguri kombëtare, rend publik, shëndet publik ose moral dhe për shkak të drejtave dhe lirive të të tjerëve. Mundësia e tillë, në veçanti, ekziston për kufizimin e lirisë së lëvizjes, lirisë për të lëshuar çdo vend, duke përfshirë vendin e vet, lirisë së mendimit, ndërgjegjes, besimit, lirisë së shprehjes dhe informimit, lirisë e tubimit dhe atë të bashkimit. Këto kufizime duhet të bëhen me ligj, që do të thotë se duhet të kalojnë në kuvend.[7]
Organet që bëjnë interpretimin e këtyre instrumenteve ligjore, e kanë për obligim kontrollin e çdo keqpërdorimi të këtyre dispozitave. Si pasojë e aplikimit të gjendjes së jashtëzakonshme dhe klauzolës për tërheqje, disa raste janë paraqitur në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut, Komisionit dhe Gjykatës Interamerikane.
2.3 E Drejta e të Drejtave të Njeriut dhe dimensioni i së Drejtës Ndërkombëtare e të Drejtave të Njeriut
Krijimi i shteteve moderne sovrane, solli nevojën e krijimit të një grumbulli rregullash për rregullimin e marrëdhënieve midis tyre. Ky grup rregullash – i përbërë nga zakonet dhe traktatet – është ajo që ne e quajmë e drejta ndërkombëtare. Zakoni e ka origjinën në ndjekjen nga ana e shteteve të një praktike të përgjithshme që ndjehej e detyrueshme. Ai aplikohet në të gjithë shtetet dhe disiplinon në një mënyrë të përgjithshme një numër të kufizuar çështjesh, siç janë për shembull përdorimi i forcës, imuniteti diplomatik, përdorimi i detit dhe i qiellit dhe e drejta e traktateve. Traktati është një instrument që shtetet përdorin kur dëshirojnë të punojnë së bashku dhe të vendosin më shumë rregulla të detajuara midis tyre.
Marrëveshje ndërkombëtare janë nënshkruar për tregtinë dhe mbrojtjen e mjedisit, për problemet financiare dhe bujqësore, si dhe në çdo fushë të veprimtarisë qeveritare ku ka vend për një bashkëpunim të suksesshëm. Në disa raste, traktatet kanë krijuar instrumente të përhershme të bashkëpunimit ndërqeveritar. Kjo ka çuar në lindjen e organizmave ndërkombëtarë, siç janë; Organizata e Kombeve të Bashkuara (OKB), një organizatë botërore që ka për detyrë ruajtjen e paqes dhe sigurisë ndërkombëtare, Këshilli i Evropës, të cilit i është besuar promovimi i demokracisë, të drejtave të njeriut dhe zbatimit të ligjit, Komuniteti Evropian (EC), i cili krijoi një treg të përbashkët dhe një bashkim gjithnjë e më të ngushtë të një numri në rritje vendesh evropiane, Organizata për Sigurim dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), e angazhuar në përmirësimin e marrëdhënieve midis Botës Perëndimore dhe demokracive të reja të Evropës Qëndrore dhe Lindore, dhe shumë të tjera me një kompetencë më të kufizuar.
Qëllimi i të drejtës ndërkombëtare, ndonëse shumë i gjerë, ndikon edhe në veprimtarinë e qeverive dhe organizatave ndërkombëtare, duke nxjerrë të drejta, detyrime dhe rregulla mbi të cilat shtetet do të ngrenë marrëdhëniet e tyre. Zakonisht kjo e drejtë nuk i shqetëson individët. Sidoqoftë, këta të fundit mund të kenë liri dhe të drejta të mbrojtura nga instrumente ndërkombëtarë, kur qeveritë marrin përsipër garantimin e tyre për secilin që është brenda juridiksionit të tyre. Marrëveshjet ndërkombëtare janë përdorur gjithashtu edhe për ngritjen e gjykatave për zgjidhjen e kundërshtive midis shteteve, sipas ligjit ndërkombëtar. Kjo favorizon ruajtjen e paqes, dhe kufizon përdorimin e forcës. Institucioni më i lartë gjyqësor në këtë drejtim, është Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë.
3. Kushtetuta e Republikës së Maqedonisë dhe e Drejta e të Drejtave dhe Lirive Themelore të Njeriut
Kushtetuta e Republikës së Maqedonisë përmban një listë të përgjithshme të të Drejtave dhe Lirive Themelore të Njeriut mbështetur në Liritë Fundamentale parasheh këto të drejta të garantuara me Kushtetutën e vitit 1991 nga neni 9 deri te neni 48 duke i përfshirë të drejtat qytetare, kulturore, ekonomike, politike dhe sociale. Kushtetuta e Republikës së Maqedonisë, lirinë e njeriut e përcakton si të pacenueshme. E drejta e lirisë mund të jetë e kufizuar vetëm me vendim gjyqësor dhe në raste dhe në proces të vërtetuara me ligj. Kushtetuta më detajisht e rregullon kohëzgjatjen e paraburgimit dhe të drejtat që i ka personi që i është hequr liria.Prezumimi i pafajësisë (supozimi), gjithashtu, është një nga të drejtat të cilat janë të përfshira me Kushtetutë. Ajo është garanci se personi që është i fajësuar për vepër penale do të vlerësohet si i pafajshëm derisa faji i tij nuk vërtetohet me vendim të plotfuqishëm gjyqësor.[8]E drejta e privatësisëështë njëra nga të drejta më të shkelura në mënyrën e jetesës së sotme bashkëkohore. Kushtetuta garanton respektimin dhe mbrojtjen e privatësisë të jetës personale dhe familjare, të dinjitetit dhe ndërgjegjes; fshehtësinë dhe sigurimin e të dhënave personale.
Ngushtë e lidhur me të drejtën private është edhe e drejta e fshehtësisë së letrave dhe formave të tjera të shprehjes. Sipas vendimit të gjyqit mund të tërhiqemi nga parimi i pacenueshmërisë së fshehtësisë së letrave dhe të forma ve tjera të të shprehurit, nëse ajo është e domosdoshme për udhëheqjen e procedurës penale ose atë e kërkojnë interesat e mbrojtjes së Republikës. Gjithashtu, me të drejtën private është e lidhur ngushtë edhe e drejta e paprekshmërisë së shtëpisë. Ajo mund të jetë e kufizuar vetëm me vendim të gjyqit kur është në pyetje çështje për zbulimin dhe pengimin e veprave penale ose mbrojtjen e shëndetit të njerëzve.[9]
Kushtetuta garanton lirinë e lëvizjes dhe vendosjes-Secili qytetar i Republikës së Maqedonisë ka të drejtë lirisht të lëvizë në territorin e Republikës dhe lirisht të zgjedhë vendin e vendbanimin të tij. Secili qytetar ka të drejtë ta lëshojë territorin e Republikës dhe të kthehet në Republikë. Por, Kushtetuta jep mundësi për kufizimin e realizimit edhe të këtyre të drejtave. Liria e të menduarit, e ndërgjegjes dhe e besimit janë të drejta të rëndësishme të njeriut që lirisht të mendojë, lirisht të ndërtojë pikëpamje personale për botën.
Ajo do të thotë, çlirimi i njeriut nga imponimet e ideologjive oficiale ,dhe nga imponimi me dhunë i dogmave. Liria e besimit, është e drejtë e njeriut që lirisht dhe publikisht, veçmas ose në bashkësi me të tjerët ta shprehë fenë. Kushtetuta garanton edhe barazi të bashkësive fetare dhe grupeve religjioze dhe shteteve të proklamuara laike (largimi i bashkësive dhe i grupeve fetare nga shteti). E drejta e shtetësisë, gjithashtu, është e drejtë personale e cila nuk mund t’i merret asnjë shtetasi të Republikën e Maqedonisë. Gjithashtu, shtetasi i Republikës e Maqedonisë nuk mund të largohet nga shteti.[10]
Parë në këtë prizëm, mund të konkludojmë se të drejtat e njeriut në Republikën e Maqedonisë në pikëpamje legjislative janë të standardizuara, mirëpo, akoma nuk gjenden mënyra reale si si ato të jetësohen dhe këto të drejta t’i ndjejnë qytetarët e Republikës së Maqedonisë në këndvështrimin e zbatueshmërisë në praktikë.
PËRFUNDIMI
Shumëllojshmëria e të drejtave themelore të njeriut ka qenë po aq e madhe sa edhe ajo e kushtetutave kombëtare, ajo e gjuhëve, dhe kulturave në shoqëri. Këto të drejta gjithmonë janë mbështetur mbi sovranitetin e shteteve, ka të paktën po aq sisteme të së drejtës sa ka edhe shtete, madje ka edhe në shumë përderisa disa shtete nuk e kanë unifikuar krejtësisht të drejtën që e zbatojnë në territorin e tyre.
Prandaj, shembull konkret për funksionimin e së drejtës ndërkombëtare janë respektimi i të drejtave të njeriut me karakter universal, që na jep të kuptojmë se po këtë synim sot bota evropiane dhe shtet anëtare bëjnë përpjekje me tendencë të veçantë për të përafruar të drejtat e tyre pa dashur t’i bashkojnë ato në një të vetme. Në këtë mes gjithashtu bën pjesë edhe Republika e Maqedonisë e cila shumë ngadalë po përshtatet në këto standard për të respektuar realisht të drejtat themelore të njeriut në të gjitha dimensionet e standardeve universal të të drejtave të njeriut. Mbetemi në shpresë se kjo gjendje reale duhet të marr rrugëtimin e drejtë që çdo qytetarë të ndjehet i respektuar dhe i sigurt në jetën e tij, për nga të drejtat ashtu siç janë të detyruar edhe për nga detyrimet juridike dhe ato financiare.
[1]Doktorant i shkencave juridiko-penale. Aktualisht udhëheqës i sektorit për krimet e rënda pranë Ministrisë së Punëve të Brendshme të Republikës së Maqedonisë, Shkup.
[2]Selmani Dr. Bashkim (2009) “E drejta e të drejtave të njeriut” f. 11-24. Universiteti parë privat “Fon”- Shkup
[3](Neni 2 ICCPR dhe ICESCR).
[4]Ernst-Otto Czempiel: Strategji paqeje, shndërrimi i sistemit përmes Organizatave Ndërkombëtare, Demokratizimi dhe Ekonomia, Paderborn 1986, F. 39
[5]Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut (Neni 15).
[6]Komisioni i OKB-së për të Drejtat Civile dhe Politike, në Komentin e Përgjithshëm (Nr. 29, 2001),
[7]Selmani Dr. Bashkim (2009) “E drejta e të drejtave të njeriut” f. 167-171. Universiteti parë privat “Fon”- Shkup.
[8]Barabarësia e qytetarëve- Neni 9 , E drejta në jetë – Neni 10, Integriteti i personit- Neni 11, E drejta e lirisë -Neni 12, Supozimi i pafajësisë – Neni 13, Ngritja e padisë në bazë të drejtësisë – Neni 14, E drejta e ankesës – Neni 15, E drejta e bindjes, fjalimit dhe qasja deri te informatat.
[9]Neni 14, E drejta e ankesës – Neni 15, E drejta e bindjes, fjalimit dhe qasja deri te informatat – Neni 16, Fshehtësia e korrespodencës – Neni 17, Siguria e informatave personale – Neni 18 , Liria e religjionit – Neni 19, Liria e grumbullimit – Neni 20, E drejta e grumbullimit- Neni 21, E drejta e votës – Neni 22.
[10] Amandamenti i XIX nga Kushtetuta e RM.