July 10, 2014 - Admin

TË DREJTAT E PERSONAVE TË DËNUAR ME BURGIM, LEJET, BENEFICIONET GJATË QËNDRIMIT NË INSTITUCIONET PENITENSIARE

Dr. sc. Mitasin BEQIRI

 

Hyrje

 

Në sistemin modern penitensiar, personat e dënuar gjatë kohës së vuajtjes së dënimit me heqje të lirisë nëpër institucionet peni­tensiare, gëzojnë disa të drejta dhe liri të garantuara me konventa ndërkombëtare dhe me dispozita të ligjeve pozitive të secilit shtet[1]. Këto të drejta janë parapa dhe precizuar edhe me Rregullat standarde minimale të OKB-së dhe Rregullat Evropiane mbi burgun.

Sipas dispozitave ligjore në fuqi të Kushtetutës së RM-së, Ligjit mbi ekzekutimin e sanksioneve penale dhe akteve nënligjore burgosurit në institucionet penitensiare kanë disa të drejta që paraqesin një varg. Po ashtu personat e dënuar mund të fitojnë edhe disa të leje të veçanta për shkak të vdekjes, të ngjarjeve të rëndë­sishme familjare dhe në rastet e tjera të arsyeshme, si dhe mund të fitojnë edhe leje shpërblyese dhe shpërblime të caktuara, si rezultat i angazhimit të tyre në punë, të sjelljeve të mira ndaj personelit penitensiar, për rezultatet e arritura në aktivitete të ndryshme brenda institucionit penitensiar etj.

 

1. Të drejtat e personave të dënuar

 

Duke u mbështetur në dispozitat juridike të akteve peniten­sia­re të Republikës së Maqedonisë, praktikën penitensiare, intervistat me personelin penitensiar dhe me personat e dënuar, dhe në të dhënat e tjera të kësaj fushe në vijim do të trajtohen dhe analizohen të drejtat e personave të dënuar. Si të drejta më të njohura të personave të dënuar në sistemin penitensiar janë:

– e drejta në punë, e drejta në pushim, e drejta në sigurim social dhe invalidor, e drejta në arsimim, e drejta në mbrojtje shëndetësore, e drejta në pranimin e vizitave, e drejta e korrespodencës dhe informacionit, e drejta në pranimin e paketave, e drejta në kërkesa dhe ankesa etj.,

1. 1. E drejta në punë

“Personi i dënuar i aftë për punë ka të drejtë dhe obligim të punojë. Të drejtës në punë dhe realizimit të saj i kushtohet rëndësi të madhe në institucionet penitensiare, për arsye se puna është mjet dhe metodë themelore e procesit të riedukimit dhe riintegrimit të personave të dënuar”[2].

Qëllimi i realizimit të punës është që ata të fitojnë, të ruajnë dhe zhvillojnë aftësitë e tyre fizike dhe psikike. Personat e dënuar të angazhuar në punë japin deklaratë se vullnetarisht duan të punojnë dhe të kryejnë punët e caktuara[3].

Në bazë të akteve juridike në fuqi, të cilat i referohen pozitës së personave të dënuar në institucionet, del se puna e të dënuarve është një e drejtë dhe obligim i tyre. Dispozitat juridike përmbajnë disa norma që trajtojnë punën e të dënuarve, karakterin e saj, kushtet e punës, shpërblimin e të dënuarve etj. Kështu, sipas neneve 113- 114 të LZSP, “Nga personat e dënuar lypet të punohet konform aftësive të tyre fizike dhe psikike të cilët konstaton mjeku i institucionit. Për caktimin e angazhimit në punë, duke i pasur mundësitë institucioni do të mbajë llogari për dëshirën e personit të dënuar gjatë kryerjes së punëve të caktuara”[4]. Dispozitat e akteve penitensiare kërkojnë që kushtet e punës së të dënuarve të jenë të ngjashme me ato në shoqë­rinë e lirë, në mënyrë që të dënuarit të fitojnë aftësi profesionale për riintegrimin e tyre në shoqëri i dënuari mund të punojë brenda njësive ekonomike të institucionit, por edhe jashtë institucionit, ka të drejtë në shpërblim për punën e kryer në institucion. Për realizimin e të drejtës në punë të personave të dënuar, si e drejtë themelore e tyre parashohin dispozitat e Rregullores për llojn kushtet e kryerjes së punëve me dobi të përgjithshme[5].

Gjatë vitit 2008 deri te Drejtoria mbi ekzekutimin e sanksioneve penale janë drejtuar 293 kërkesa për angazhim në punë të personave të dënuar, nga të cilëve 275 u është dhënë leja e punës jashtë institucionit penitensiar ndërsa 18 kërkesa janë refuzuar[6]

Siç mund të vërejmë, nga lartë sipas dispozitave të cilat i referohen realizimit të së drejtës në punë të personave të dënuar në institucionet penitensiare. Në disa institucione organizohet puna e të dënuarve atë: në institucionin e Idrizovës, Strugës, Shtipit, Manas­tirit, kurse në disa të tjera kjo e drejtë nuk realizohet, por kur plotësohen kushtet të dënuarit kanë të drejtë të dalin jashtë institucionit penitensiar të punojnë. Në disa institucione peniten­siare nuk ka kushte për angazhimin me punë të personave të dënuar, për këtë arsye klasifikimi intern i personave të dënuar nuk ka efekt.

1. 2. E drejta në sigurim pensional dhe invalidor

 

Është e drejtë themelore e cila buron nga e drejta e punës Personat e dënuar kanë të derjtë në sigurim pensional dhe invalidor e drejtë që mbështetet në aktet pozitive juridike. Pra “Personave të dënuar gjatë vuajtjes së dënimit me burgim ju njihet stazhi pensional dhe koha që ato e kalojnë në punë pa ndërprerë me orar të plotë [7]”, nëse nga mjetet e marra u paguhen kontributet e caktuara. Kësisoj, nëse personi i dënuar gjatë vuajtjes së dënimit me burg është sëmurë, apo ka përjetuar ndonjë fatkeqësi, aksident në punë, ose sëmundje profesionale konform dispozitave të përgjithshme[8], ai ka të drejtë në mbrojtje invalidore nga sëmundjet që i ka marrë gjatë kryerjes së detyrave në punë.

1. 3. E drejta në mbrojtje shëndetësore

 

Mbrojtja shëndetësore është garantuar me aktet ligjore dhe nënligjore.Personat e dënuar me burg gjatë vuajtjes së dënimit kanë të drejtë në mbrojtje shëndetësore në ndihmë mjekësore si dhe kontroll specialistik[9]. Kështu, sipas Ligjit mbi ekzekutimin e sank­sioneve penale dhe akteve nënligjore të sferës penitensiare sferën e mbrojtjes shëndetësore e rregullojnë disa nene edhe ate nga: nenet 124- 134. Duhet përmendur se në realizimin e të drejtës në mbrojtje shëndetësore të personave të dënuar në institutet penitensiare të Republikës së Maqedonisë paraqiten disa vështirësi të caktuara. Në disa institucione penitensiare mungojnë personeli shëndetësor edhe atë: në (Tetovë, Gjevgjeli, Strumicë, Strugë, Prilep, Kumanovë, Pallankë, Veles, Ohër), ndërsa, në institucionet tjera është prezent ekipimi i personelit shëndetësor me: mjek të praktikës së përgjith­shme, stomatolog, mjek specialist, personel shëndetësor, mungesa e lokaleve për shërim, mungesa e pajisjeve të nevojshme dhe aparatu­rave etj[10]., të cilat vështirësojnë edhe realizimin e kësaj të drejte të të dënuarve.

1. 4. E drejta në arsimim

 

Sipas dispozitave të Ligjit mbi ekzekutimin e sanksioneve penale neni 133 personat e dënuar me burg gjatë vuajtjes së dënimit kanë të drejtë në arsimim dhe në ngritje profesionale të tyre. Kjo e drejtë themelore e të dënuarve realizohet në pajtim me kushtet ekzistuese të çdo instituti penitensiar. Në pajtim me neni 135 të ligjit në fuqi “Arsimimi në institucionet penitensiare është obligativ, si pjesë e sistemit të përgjithshëm arsimor. Arsimimi i personave të dënuar organizohet në vetë institucionin ose në selinë e tyre”. Në pajtim me aktet penitensiare në fuqi personat e dënuar pas mbarimit të shkollimit pajisen me dëshmi, diploma, certifikata, dhe dëftesa[11]. Kësisoj në institucionet penitensiare të Republikës së Maqedonisë detyrimisht organizohet mësimi fillor. Në entin ndëshkues përm­irë­sues Idrizovë organizohet mësimi fillor në grupe, ku çdo grup përm­ban nga 10-15 persona të dënuar. gjendja e personave të dënuar që janë pajisur me certifikata dhe diploma është varur nga vullneti i tyre.

Në funksion të realizimit të kësaj të drejte, një rëndësi mjaft e madhe u kushtohet të dënuarve të cilët nuk e kanë kryer shkollën fillore dhe të atyre që nuk dinë shkrim dhe lexim. Po ashtu vërehen rezultate edhe në organizimin e arsimimit të mesëm – ku një person i dënuar në burgun e Ohrit ka kryer shkollën e mesme. Mirëpo, edhe përkundër këtyre rezultateve të arritura në realizimin e kësaj të drejte, mund të thuhet se në këtë drejtim paraqiten edhe disa pengesa dhe vështirësi të caktuara, kryesisht të natyrës objektive, të cilat e ngarkojnë realizimin e mirëfilltë të kësaj të drejte të personave të dënuar. Interesimi i tyre është shumë i vogël për të shfrytëzuar këtë të drejtë të tyre.

1. 5. E drejta në pranimin e vizitave dhe paketave

 

Sipas dispozitave në Ligjit mbi ekzekutimin e sanksioneve penale neni 144 personat e dënuar kanë të drejtë të pranojnë vizita nga anëtarët më të ngushtë të familjes, por me lejen e drejtorit të institucionit mundë të vizitohen edhe nga personat tjerë, nga ora 8,00 deri më 14,00. Në institucionin e Idrizovës për shkak numrit të stërngarkuar me persona të dënuar vizitat realizohen për qytetarët e Shkupit ditëve të shtuna, ndërsa ditëve të diela për personat me vendbanim jashtë qytetit të Shkupit, vizitat zgjatin deri 60 minuta dhe realizohet në prezencën e personit zyrtar[12].

Personat e dënuar mund të vizitohen nga mbrojtësit e tyre (neni 145 –LZSP), të dënuarit shtetasit e huaj kanë të drejtë në vizita nga të afërmit e tyre ose nga përfaqësuesit diplomatik dhe konsullor të shtetit të tyre ose të shtetit që i mbron interesat e tyre në pajtim me rregullat e së drejtës ndërkombëtare (neni 146 – LZSP)[13].

Personat e dënuar në entet ndëshkuese- përmirësuese kanë të drejtë në pranimin e paketave nga familjet e tyre të cilat përmbajnë ushqime dhe gjësende të tjera për nevojat personale. Po ashtu kanë të drejtë edhe në pranimin e mjeteve monetare për plotësimin e nevojave të tyre. Lloji dhe sasia e ushqimeve që vijnë nga jashtë duhet të jenë mirë të paketuara, ato kontrollohen para se t’i jepen të dënuarit nga administrata e entit ndëshkues, meqë mund të ketë keqpërdorim të tyre ose mundësi të përhapjes së ndonjë infektimi (neni 151 al.3 – LZSP).

Pra, të dënuarit përveç paketave, në entet ndëshkuese kanë të drejtë edhe në pranimin e mjeteve monetare që marrin prej familjeve të tyre, por ato duhet të depozitohen financën e entit ndëshkues dhe mund t‘u jepen atyre sipas nevojës dhe kërkesës së tyre( neni 149 al. 4 LZSP).

1. 6. E drejta e korrespondencës dhe informimit

 

Sipas Ligjit mbi ekzekutimin e sanksioneve penale të Republikës së Maqedonisë neni 142 personat e dënuar në entet ndëshkuese kanë të drejtë në korrespondencë me botën e jashtme me anëtarët e familjeve të tyre dhe personat e tjerë si dhe në informim. Të dënuarit kanë të drejtë në letërkëmbim përmes letrave dhe telegrameve, telefonit etj. Përmbajtja e letrave dhe telegrameve nuk kontrollohet, zakonisht ato hapen dhe mbyllen në prani të nëpunësit kompetent edukatorit të institucionit( neni 143- LZSP).

Personat e dënuar në institucionet penitensiare kanë të drejtën e informimit. Pra, ato kanë të informohen për rregullat disiplinën e institucionit, si dhe për çdo akt tjetër që u jepet atyre që të njihen me të drejtat dhe detyrimet e tyre gjatë vuajtjes së dënimit. Gjithashtu, atyre u jepet e drejta e leximit të literaturës, shtypit, si dhe ndjekja e mediave të komunikimit masiv[14].

1. 7. E drejta në kërkesa dhe ankesa

 

Legjislacioni pozitiv në Republikën e Maqedonisë u jep të drejtë personave të dënuar në institucionet penitensiare të paraqesin kërkesa dhe ankesa lidhur me zbatimin e ligjit, akteve nënligjoredhe rregullave të brendshme (neni 174 – LZSP[15]. Po ashtu ata mund të bëjnë ankesa ndaj veprimeve dhe sjelljeve arbitrare dhe jo humane të personelit penitensiar dhe shërbimeve të caktuara në institucio­net, duke shprehur në këtë mënyrë vërejtjet dhe pakënaqësitë e tyre lidhur me këto sjellje dhe qëndrime. Respektivisht, të dënuaritme ankesë mund t’i drejtohen: drejtorit të institucionit, inspektorëve të drejtorisë, drejtorit të Drejtorisë mbi ekzekutimin e sanksioneve penale, ministrit të Drejtësisë, gjykatës së vendit të ekzekutimit të vendimit, organizatave jo qeveritare, avokatit të popullit, komisionit për të drejtat e njeriut dhe gjyqit evropian për të drejtët e njeriut të këshillit të Evropës sipas (nenit 174 – LZSP). Kësisoj, organet kompetente duhet t’i shqyrtojnë ankesat dhe kërkesat sa më parë, por jo më vonë se një muaj nga paraqitja e tyre.

Mund të konstatoj se e drejta në kërkesa dhe ankesa në sistemin penitensiar të Republikës së Maqedonisë konsiderohet një ndër të drejtat mjaft të rëndësishme, e cila u takon personave të dënuar. Mirëpo, duhet theksuar se zbatimi praktik dhe realizimi i tyre has në disa pengesa dhe vështirësi të caktuara, gjë që e dëshmojmë mjaft mirë edhe opinionet e marra nga vetë personat e dënuar. Personat e dënuar ankesat e tyre i drejtojnë deri te Avokati i popullit nëpërmjet kutive të mbyllura që i ka distribuuar avokati i popullit nëpër institucionet penitensiare, te avokati i popullit gjatë vitit 2006 janë drejtuar me parashtresa 64 nga persona të dënuar, ç’rast në 8 prej tyre është konstatuar cenim i të drejtave të parashtruesve, ndërsa pas veprimeve të ndërmarra nga avokati i popullit parashtruesit i realizuan të drejtat e tyre[16], Komiteti i Helsinkut për të drejtat e njeriut, Kryqi i kuq Ndërkombëtar.

1. 8. E drejta në pushim ditor, javor dhe vjetor

 

Sipas dispozitave ligjore të LZSP personat e dënuar në institu­cionet penitensiare kanë të drejtë në pushim ditor, javor, dhe vjetor( neni 111 – LZSP)[17]. Ato lidhen me kushtet e punës, orarin, sigurimin dhe mbrojtjen e shëndetit,etj. Pushimi ditor duhet t’i përshtatet angazhimit dhe orarit të punës së të dënuarve në kohë­zgjatje prej 8 orë pandërprerë, për fjetje dhe pushim tjetër, në mënyrë që të ketë mundësi ta vazhdoj punën dhe jetën në institucion. Pushimi, javor përfshinë ditën e diell, por mund të jetë edhe ndonjë ditë tjetër, nëse është fjala për të dënuar që punojnë edhe gjatë ditëve të diela. Po ashtu të dënuarit kanë pushim edhe gjatë festave zyrtare dhe fetare. Pushimin vjetor personat e dënuar e kalojnë pranë familjes, me përjashtim të atyre që nuk kanë ku ta kalojnë pushimin ose që janë të pa dëshirueshëm në mjedisin nga vijnë, ata pushimet i kalojnë në lokalet e institucionit, gjatë kësaj kohe ato merren me aktivitet të ndryshme kulturore, argëtuese, sportive etj. Kjo formë e pushimit ushtron efekte mjaft pozitive në ruajtjen dhe zhvillimin e aftësive psikofizike të të dënuarve.

1. 9. Të drejtat tjera të personave të dënuar

 

Sipas dispozitave ligjore të LZSP personat e dënuar gjatë qëndrimit në institucione penitensiare kanë edhe disa të drejta tjera të një rëndësie më të vogël, disa prej të cilave burojnë edhe prej të drejtave themelore, për të cilët u përmend më lart. Në vijim do të trajtohen disa prej këtyre të drejtave të cilat i gëzojnë të dënuarit në institucionet penitensiare.

E drejta në ajrim

 

Personat e dënuar të cilët nuk punojnë jashtë dhe të dënuarit tjerë në ditët që nuk punohet, kanë të drejtë të qëndrojnë në ajrim në mjedise të hapura jo më pak se dy orë në ditë neni 46 i rendit Shtëpiak[18]. Gjatësia e kohës së ajrimit varet prej vetë llojit dhe tipit të institucionit dhe kushteve atmosferike.

E drejta në ushtrimin e besim fetar

 

Të dënuarit kanë të drejtën e besimit dhe të ushtrimit të riteve fetare dhe për ushtrimin e këtyre riteve në institucionet duhet t’i sigurojnë kushte të caktuara për lutje dhe falje,( neni 141 i LZSP) dhe neni 58 i Rendit shtëpiak i institucionit të Idrizovës[19]. Me qëllim të realizimit të kësaj të drejte organizohen lutje dhe falje dhe kremtohen festat fetare si: festa Krishtlindjeve, e Bajramit etj

E drejta në ndihmë juridike

 

Personat e dënuar gjatë qëndrimit në institucion kanë të drejtë në shfrytëzimin e ndihmës profesionale juridike, këshillave juridike, që njëherit është edhe obligim i shërbimit juridik nëpër institu­cio­net, në vazhdim do të japim disa të dhëna të shërbimeve që i shfry­tëzojnë personat e dënuar në institucionin e Idrizovës edhe atë[20]

 

Institucioni penitensiar Idrizovë viti 2006, 2007

 

– propozime për bashkimin e veprave penale, “ 281 328

– autorizime,  “ 386 340

– ankesa,  “ 48 64

– kërkesa për fitimin e kushtit, “ 242 267

– kërkesa për falje, dhe për falje të jashtëzakonshme, “ 33 53

– kërkesa për përsëritje të procedurës, “ 192 95

– kërkesa se a ka vepra tjera penale, “ 354 578

– kërkesa për ndërprerje të dënimit, etj:. “ 36 25

Gjithsej shërbime 1572 1750

 

Nga këto të dhëna shihet se personave të dënuar në mënyrë të organizuar u ofrohet ndihma juridike nëpërmjet shërbimit adminis­tra­tiv, respektivisht nëpërmjet një referenti realizues të shërbimit juridik, gjatë vitit 2006 kanë shfrytëzuar 1572 shërbime të ndryshme juridike ndërsa gjatë vitit 2007 1750 shërbime.

E drejta në lidhjen e martesës. Personat e dënuar gjatë kohës së qëndrimit në institucionet penitensiare kanë të drejtë të lidhin martesë neni 152 i LZSP dhe neni 67 i Rendit shtëpiak të institu­cionit të Idrizovë.

E drejta për të zgjedhur. Personat e dënuar gjatë kohës së qëndrimit në institucionet penitensiare kanë të drejtë vote që do të thotë se kanë të drejtën elektorale aktive, por jo edhe të zgjidhen.

Përfundim

 

Nga trajtimi i deri tashëm , mund të konstatojmë se në sistemin penitensiar të Republikës së Maqedonisë janë paraparë mjaft të drejta të të dënuarve dhe në këtë janë përfshirë disa kërkesa moderne penitensiare. Mirëpo, realizimi i disa prej tyre në praktikën peniten­siare nuk është përherë i zbatueshëm dhe se, edhe në këtë rrafsh paraqiten pengesa dhe vështirësi të caktuara, gjë që pengon dhe vështirëson edhe vetë procesin e risocializimit dhe riedukimit të të dënuarve gjatë vuajtjes së dënimit me burgim. Në institucionet peniten­siare, kemi konstatuar se personave të dënuar t’u jepen leje të veçanta në rastet e caktuara me dispozitat juridike penitensiare. Po ashtu mund të fitojnë edhe leje shpërblyese, shpërblime, ulje dënimi dhe benificione të tjera për arsye të sjelljeve të mira, të anga­zhimit në punë dhe rezultateve të arritura në aktivitete të ndryshme. Një praktikë e tillë është mjaft e rëndësishme, në riedukimin dhe risocializimin e personave të dënuar. Duke u nisur nga rëndësia tyre gjykojmë se ato duhet të begatohen me anë të rregullimit normativ edhe të disa benificioneve, por të cilat nuk janë precizuar me dispozitat përkatëse penitensiare.

Literatura

R.Gashi, Ekzekutimi i dënimit me burgim në Shqipëri, Prishtinë, 2001

 R.Halili “Penologjia”, Prishtinë, 2005

 Z. Sulejmanov: Penologija, Shkup, 2000, .

 I. Saliu. “ E Drejta Penale”, Prishtinë, 2005,

 V. Kambovski. Kazneno pravo, Opsht del. Skopje, 2004.

 Franjo Baçiç: Kriviçno pravo, opçi dio, Informator, Zagreb 1995,

 Shih; Rendi shtëpiak. i institucionit të Idrizovës. Nen 22. f. 10. janar. 2008.

Shih; Ligji mbi ekzekutimin e sanksioneve nenet 113- 122.

Shih; Rregullore për llojin , kushtet e kryerjes së punëve me dobi të përgjithshme. Nr. 08-1148/1. Shtator. 2008. Shkup.

Shih. Raporti i Drejtorisë mbi ekzekutimin e sanksioneve penale 2009, Shkup

Ligji mbi ekzekutimin e sanksioneve penale, gazeta zyrtare e R. M.-së nr. 02/06, neni 123, f.65..

Shih; Rendi shtëpiak. i institucionit të Idrizovës. Nen 35. f. 14. janar. 2008.

Shih: Rendi shtëpiak. Idrizovë, Ibid. neni 37.

Raporti vjetori i Drejtorisë. Janar. 2008. Shkup.

Ligji mbi ekzekutimin e sanksioneve penale, fletorja zyrtare e Republikën së Maqedonisë 02/06, neni 133, f.67.

Shih: Shih: Rendi shtëpiak. Idrizovë, Ibid. neni 61-62..;

 Rendi shtëpiak i burgut të Shkupit, Shkup, maj 2001, neni 63, f.12.

Ligji mbi ekzekutimin e sanksioneve penale, fletorja zyrtare e Republikën së Maqedonisë 02/06, nenet 144- 150,

Ligji mbi ekzekutimin e sanksioneve penale, fletorja zyrtare e Republikën së Maqedonisë 02/06, neni 142, f.67, Rendi shtëpiak i Institucionit të Idrizovës, Shkup, janar 2008, neni 59- 60, f.24.

Rendi shtëpiak i burgut të Shkupit, Shkup, maj 2001, neni 85, f.17.

Shih: Raporti vjetor I Avokatit të popullit, f. 35. 2006. Shkup.

Rendi shtëpiak i burgut të Shkupit, Shkup, maj 2001, neni 43, f.9.

Rendi shtëpiak i Institucionit të Idrizovës, Shkup, janar 2008, neni 46, f.18.

Ibid. f. 24

[1]R. Halili. vep. e cit. f. 216

[2] R. Halili. vep. e cit. f. 217.

[3] Shih; Rendi shtëpiak. i institucionit të Idrizovës. Nen 22. f. 10,  janar, 2008.

[4]Shih; Ligji mbi ekzekutimin e sanksioneve nenet 113- 122.

[5]Shih; Rregullore për llojin , kushtet e kryerjes së punëve me dobi të përgjithshme. Nr. 08-1148/1. Shtator. 2008. Shkup.

[6] Shih. Raporti i Drejtorisë mbi ekzekutimin e sanksioneve penale 2009, Shkup.

[7] Ligji mbi ekzekutimin e sanksioneve penale, gazeta zyrtare e R. M.-së nr. 02/06, neni 123, f.65.

[8]Shih; Rendi shtëpiak. i institucionit të Idrizovës. Nen 35. f. 14. janar. 2008.

[9]Shih: Rendi shtëpiak. Idrizovë, Ibid. neni 37.

[10] Raporti vjetori i Drejtorisë. Janar. 2008. Shkup.

[11]Ligji mbi ekzekutimin e sanksioneve penale, fletorja zyrtare e Republikën së Maqedonisë 02/06, neni 133, f.67.

[12]Shih: Shih: Rendi shtëpiak. Idrizovë, Ibid. neni 61-62..; Rendi shtëpiak i burgut të Shkupit, Shkup, maj 2001, neni 63, f.12.

[13] Ligji mbi ekzekutimin e sanksioneve penale, fletorja zyrtare e Republikën së Maqedonisë 02/06, nenet 144- 150,

[14] Ligji mbi ekzekutimin e sanksioneve penale, fletorja zyrtare e Republikën së Maqedonisë 02/06, neni 142, f.67, Rendi shtëpiak i Institucionit të Idrizovës, Shkup, janar 2008, neni 59- 60, f.24.

[15] Rendi shtëpiak i burgut të Shkupit, Shkup, maj 2001, neni 85, f.17.

[16]Shih: Raporti vjetor I Avokatit të popullit, f. 35. 2006. Shkup.

[17]Rendi shtëpiak i burgut të Shkupit, Shkup, maj 2001, neni 43, f.9.

[18]Rendi shtëpiak i Institucionit të Idrizovës, Shkup, janar 2008, neni 46, f.18.

[19]Ibid. f. 24

[20] Shih: Raporti vjetor i Institutit ndëshkues të Idrizovës, 2006, f. 42, 2007, f. 43.

Dr. sc. Mitasin Beqiri / Shqip