July 10, 2014 - Admin
RRJEDHA E PROCEDURËS PENALE DHE KONSEKUENCAT E SAJ NDAJ TË PANDEHURIT
Dr. sc. Arta Bilalli-ZENDELI
Abstract
The existence of suspicion that a criminal offence has occurred represents the starting point of a criminal procedure. Even if at the beginning there are convincing evidences that the crime was committed and the suspect is its perpetrator, the criminal procedure will be initiated and will follow as that in cases when there are only certain doubts that a suspected has commited a crime.
From getting the very first information up to the final judgement of the court, the procedure goes through several stages and phases. The subjects and their duties during these stages and phases are different. The level of belief and the evidences that we have in those stages are also different. The transition from one stage to another depends from getting sufficient evidences that will allow us to go through them.
The doubts that exists at the beginning of the procedure are quantitatively smaller and they are supposed to grow up during the procedure. If collected evidences cannot expand or “grow up” those doubts, the court will adopt an acquittal. The passage from one stage to another means that the doubts have became more serious and they are based upon certain evidences. This passage changes the position of the defendant in the procedure as well as his “procedural name”. During the pre-investigative procedure he is considered and calls suspected person, during the investigantion he is a defendant and finally, after the court has adopted the condemning judgement and it has become final, he is considered and calls guilty.
The criminal procedure of the Republic of Macedonia passes through these stages:
- Preliminary procedure;
- Indictment (with control over the indictment);
- Court procedure with announcement and publication of the judgement as well as
- Procedure with legal remedies.
In this paper we will analyze the status, the rights and duties of the defendant during the criminal procedure`s stages.
Hyrje
Paraqitja e dyshimit se është kryer vepër penale paraqet pikën nismëtare të procedurës penale. Edhe nëse qysh në fillim ekzistojnë prova bindëse se është kryer vepra penale dhe i pandehuri konsiderohet si kryerës notor i veprës penale, ndaj tij do të zhvillohet procedura penale sikur se në rastet kur ekzistojnë vetëm dyshime të caktuara se kryerësi konkret e ka kryer veprën penale që i ngarkohet.
Prej fitimit të njohurive të para për veprën e kryer deri tek aktgjykimi përfundimtar i gjykatës, procedura kalon nëpër disa stade. Subjektet dhe detyrat e tyre gjatë atyre stadeve janë të ndryshme. Edhe shkalla e besueshmërisë, respektivisht materiali provues me të cilin disponojmë gjatë tyre është i ndryshëm. Kalimi nga njëri stad në stadin tjetër dhe nga njëra fazë e një stadi në tjetrën, para së gjithash është i kushtëzuar nga sigurimi i provave të mjaftueshme që na lejojnë të kalojmë nëpër to.
Natyrisht se dyshimet që ekzistojnë në fillim të procedurës janë në aspekt kuantitativ më të vogla dhe gjatë rrjedhës së procedurës ato rriten, gjegjësisht “forcohen”. Nëse provat e mbledhura dhe të siguruara nuk arrijnë t`i zmadhojnë këto dyshime, gjykata sjellë aktgjykim lirues. Vetë kalimi nga njëri stad në tjetrin, nënkupton se dyshimet bëhen më serioze dhe të bazuara dhe mbështeten në prova të caktuara. Me kalimin nga një stad në tjetrin, ndryshon edhe pozita e të pandehurit në procedure si dhe emërtimi i tij. Në procedurën parahetimore, ai quhet i dyshuar, në procedurën hetimore- i pandehur kurse pas plotfuqishmërisë së aktgjykimit- fajtor.
Procedura penale e Republikës së Maqedonisë, përbëhet nga katër stade të lidhura ndërmjet vedi që përbëjnë një tërësi, edhe ate:
- Procedura paraprake;
- Ngritja e aktakuzës (me kontrollë ndaj aktakuzës);
- Shqyrtimi gjyqësor me shpalljen dhe publikimin e aktgjykimit dhe
- Procedura me mjetet juridike.
Me qëllim që të njihemi me pozitën, të drejtat dhe obligimet e të pandehurit gjatë rrjedhës së procedurës penale do t`i analizojmë të gjitha stadet një nga një.
PROCEDURA PARAPRAKE
Procedurën paraprake e përbëjnë procedura parahetimore dhe ajo hetimore.
Procedura parahetimore- bazat e dyshimit
Procedura parahetimore zhvillohet me qëllim që prokurorit publik t`i sigurohet materiali i mjaftueshëm provues, në bazë të të cilit ai do të vlerëson se bazat e dyshimit mund të shndërrohen në dyshim të bazuar, si shkallë më e lartë e dyshimit, i bazuar në provat e grumbulluara që “flasin” dhe shpiejnë drejt dyshimit se një person i caktuar ka kryer një vepër penale, me ç`rast prokurori publik, në cilësi të paditësit të autorizuar, duke u bazuar në ato prova mund t`i paraqet gjykatës kompetente kërkesë për zhvillimin e hetimeve[2].
Nga definicioni i këtillë, shihet se qëllimi i procedurës parahetimore është sigurimi i (para)kushteve për zhvillimin e hetimit. Për arritjen e atij qëllimi duhet që:
- Bazat e dyshimit të shndërrohen në dyshim të bazuar ;
- Ai shndërrim të jetë si rezlutat i provave të grumbulluara, që nënkupton se në këtë procedure fillohet me mbledhjen e provave.
Ligji i ri i procedurës penale (në tekstin e mëtejmë: LPP i ri), me baza të dyshimit nënukpton njohuri që sipas përvojës kriminalistike mund të konsiderohen si prove për një vepër penale konkrete[3]. Sipas kësaj, bazat e dyshimit ekzistojnë kur disponojmë me njohuri të nivelit të provave dhe vepër të kryer penale ose:
Njohuri si prova+vepra penale= bazat e dyshimit
Procedura parahetimore është e rregulluar me n.140-150 të Ligjit të procedurës penale (në tekstin e mëtejmë LPP) dhe në n. 272-290 të LPP të ri. Në bazë të të dy teksteve ligjore, gjatë procedurës parahetimore duhet të grumbullohen prova për përforcimin e bindjes rreth ekzistimit të veprës penale. Vetëm pas asaj, prokurori publik mund të jep urdhër për zhvillimin e hetimeve.
Standardi i të provuarit gjatë ekzistimit të bazave të dyshimit është relativisht i ulët. Sa për ilustrim do ta përmendim një rast nga praktika gjyqësore amerikane. Respektivisht, në rastin Terry v. Ohio të vitit 1968, Gjykata Supreme e Shteteve të Bashkuara të Amerikës theksoi se për ekzistimin e bazave të dyshimit (reasonable suspicion) duhet të ekzistojnë dyshime të caktuara për veprën e kryer penale dhe nuk mjafton vetëm një supozim i thjeshtë ose parandjenjë rreth veprës penale[4]. Reasonable suspicion paraqet standard më të lartë se supozimi i thjeshtë por më të vogël se provë bindëse[5], dhe poashtu paraqet standard më të ulët se dyshimi i bazuara (reasonable belief, probable cause) por më të lartë se dyshimi i thjeshtë (mere suspicion).
Duke u bazuar në shkallën, kuantumin e ulët të bindjes apo sigurisë rreth kryerjes së veprës penale nga personi konkret, ai në këtë fazë është I dyshuar për vepër penale dhe kompetencat dhe autorizimet e organeve të Ministrisë së punëve të brendshme si organ shtetëror mjaft aktiv në procedurën parahetimore janë relativisht të kufizuara. Një gjë e këtillë është në pajtim me parimin e prezumimit të pafajësisë, që padyshim se e mbron të pandehurin, jo vetëm në këtë faze, por deri në plotfuqishmërinë e aktgjykimit meritor.
Autorizimet e Ministrisë së punëve të brendshme ndaj kufizimit të lirive dhe të drejtave të njeriut dhe qytetarit gjatë procedurës parahatimore, sipas LPP janë:
– mund të kërkojë informacione të nevojshme nga qytetarët;
– të kryejë kontrollë të përkohshëm të automjeteve, udhëtarëve dhe të valixheve të tyre;
– për periudhë të nevojshme kohore, mund ta kufizon lëvizjen në një vend të caktuar;
– mund t`i ndërmerr masat e nevojshme lidhur me identifikimin e personave dhe sendeve;
– mund t`i ndërmerr masat e nevojshme për gjetjen e personit apo sendit që kërkohet;
– në praninë e personit përgjegjës, mund t`i kontrollojë objektet dhe locale e organeve publike dhe t`i shqyrtojë dokumentet e caktuara që u përkasin atyre;
– mund të konfiskojë sende, të cilat sipas Kodit penal të Republikës së Maqedonisë duhet të merren ose që mund të shërbejnë si prova në procedure penale dhe
– mund të ndërmarrin masa dhe veprime të tjera të nevojshme (n.144, parag.2)[6].
Detyrimi i grumbullimit të provave në dobi apo në dëm të të dyshuarit, gjatë procedurës parahetimore u takon organeve që janë të kyqura në këtë procedure. Sipas LPP- Teksti i spastruar dhe LPP të ri, ato jane:
- Organet shtetërore, institucionet me autorizime publike dhe subjektet e tjerë juridikë, të cilët duke kallëzuar vepra penale janë të detyruara t`i paraqesin edhe provat e rastit konkret;
- MPB, që është e dtyruar t`i ndërmerr të gjitha masat e nevojshme për gjetjen e kryerësit ose pengimin e arratisjes së tij, t`i siguron gjurmët dhe sendet që mund të shërbejnë si prove dhe t`i mbledhë të gjitha informacionet e nevojshme për rrjedhën e procedurës penale si dhe Drejtoria e doganave për vepra e parapara në n.145, parag.1 të LPP- Teksti i spastruar[7]dhe Policia finansiare, për veprat e parapara në n.145, parag.2 të LPP- Teksti i spastruar si dhe Policia gjyqësore, që do të funksionon sipas LLP të ri.
HETIMET- dyshimi i bazuar
Hetimi paraqet stad të procedurës së rregullt dhe zhvillohet kundër personit të caktuar kur ekziston dyshimi i bazuar se ka kryer vepër penale[8]. Qëllimi i hetimit është grumbullimi i provave dhe të dhënave që të mund të vendoset se a do të ngrihet aktakuza ose procedura do të përfundohet, të mblidhen prova për të cilat ka rrezik se nuk do të mund të nxirren gjatë shqyrtimit gjyqësor ose nxjerrja e tyre është e lidhur me vështirësi të mëdha si dhe prova që mund të jenë të dobishme për rrjedhën e mëtejme të procedurës (n.160, parag.2 i LPP-Teksti i spastruar).
Nga një definim i këtillë del se, për dallim nga procedura parahetimore, e cila ka për qëllim që bazat e dyshimit t`i shndërron në dyshim të bazuar, në hetime veç kemi dyshim të bazuar dhe atë dyshim të bazuar duhet ta shndërrojmë në akt konkret akuzues.
LPP i ri, dyshimin e bazuar e definon si:”shkallë më e lartë e dyshimit, e bazuar në provat e mbledhura që shpiejnë drejt përfundimit se personi i caktuar ka kryer vepër të caktuar”[9]. Nga definimi i këtillë i LPP të ri, rrjedh se dyshimi i bazuar nënkupton ekzistimin e provave, kryerësit dhe veprës penale, ose:
Provë + kryerës + vepër penale= dyshim i bazuar
Në legjislacionin e Republikës së Maqedonisë, hetimi është i rregulluar me n. 160- 184 të LPP-Teksti i spastruar dhe n. 291- 318 të LPP të ri.
Për dallim nga LPP i vitit 1997 dhe LPP-Teksti i spastruar, që parashohin hetime gjyqësore, sipas LPP të ri, parashihet hetimi nga ana e prokurorisë dhe ky i fundit nuk e parasheh gjyqtarin hetues dhe gjyqësinë hetuese.
Sipas të dy teksteve ligjore, gjatë hetimit mblidhen prova nga ana e pjesëtarëve të MPB-së (LPP-Teksti i spastruar dhe LPP nga viti 1997) dhe nga ana e policisë gjyqësore e cila është në funksion të prokurorisë publike.(LPP i ri).
Standardi i dyshimit të bazuar është më i lartë se standardi i bazave të dyshimit, por më i ulët se standardi i nevojshëm për aktgjykim[10], respektivisht nga standardi i të argumentuarit jashtë dyshimit të arsyeshëm. Ai nënkupton bindshmëri të arsyeshme se është kryer një vepër penale dhe se me një doze sigurie, personi konkret ka lidhshmëri me veprën e kryer[11].
Në sistemin juridik të SHBA-së, edhepse të dy nocionet (probable cause dhe reasonablesuspition) kanë të bëjnë me vlerësimin e situatës nga ana e policisë, ato manifestohen me reperkusione të ndryshme për sa u përket lirive dhe të drejtave të njeriut. Bazat e dyshimit (reasonable suspition) kanë kuptimin e dyshimit të njeriut të arsyeshëm për ekzistimin e një vepre të kryer penale dhe si pasojë, nëse polici ka baza të dyshimit rreth kryerjes së një vepre penale konkrete, ai mund të kryejë kontrollë të personit apo mjetit motorik, por nuk mund të bëjë ndalim apo arrestim. Nga ana tjetër, dyshimi i bazuar (probable cause) ka kuptimin e besueshmërisë të njeriut të arsyeshëm se është kryer një vepër penale dhe një besueshmëri e atillë paraqet argument të mjaftueshëm për ndalim apo arrestim nga ana e organeve të policisë. Standardi i bazave të dyshimit është një hap prapa standardit të dyshimit të bazuar. Gjatë ekzistimit të bazave të dyshimit, kemi situate në të cilën mund të thuhet se vepra penale ndoshta është kryer, kurse gjatë dyshimit të bazuar, kemi situate kur sipas një probabiliteti të madh, vepra penale është kryer[12]. Të dy nocionet shfrytëzohen dhe ndihmojnë në definimin e autorizimeve të policisë gjatë procedurës hetimore dhe dallimi midis tyre qëndron aty se gjatë bazave të dyshimit, ekziston vetëm dyshim se është kryer një vepër penale, kurse gjatë ekzistimit të dyshimit të bazuar ekzistojnë edhe prova konkrete që shpiejnë drejt veprës së kryer penale[13].
Duke u nisur nga logjika e thjeshtë, pra, duke e pasur parasyesh atë që u tha më lartë se standardi që ekziston gjatë procedurës parahetimore- bazat e dyshimit është më i ulët se standardi gjatë hetimeve- dyshimi i bazuar, edhe autorizimet e policisë dhe kufizimet e lirive dhe të drejtave të njeriut gjatë hetimeve janë më të shprehura dhe më të mëdha. Sipas legjislacionit procedural-penal të RM-së, gjatë zhvillimit të hetimit, mund të ndërmirren këto veprime: grumbullohen prova, kryhet ekspertizë, bëhet rikonstruimi i ngarjes, merret në pyetje i pandehuri, bëhet kontrollë i banesës, këqyrje e vendit të ngjarjes, dëgjohen dëshmitarë, etj.
NGRITJA E AKTAKUZËS DHE KUNDËRSHTIMI I SAJ
Faza e dytë e stadit të pare të procedurës penale është akuzimi. Pas përfundimit të hetimit, paditësi i autorizuar paraqet akuzën në mënyrë që çështja penale të kalojë në gjykatë. Në procedure penale, me termin akuzë- padi, nënkuptojë disa akte akuzuese të posaçme. Kështu, për vepër penale për të cilën zhvillohet procedura e rregullt ngritet aktakuza, ndërsa në procedurën sumare propozimakuza apo padia private[14].
LPP në n.276 e përcakton përmbajtjen e aktakuzës. Ajo duhet të përmbajë:
-emrin dhe mbiemrin e të pandehurit me të dhënat e tij personale dhe të dhënat lidhur me paraburgimin apo masat tjera si alternative të paraburgimit nëse më pare ka qëndruar në paraburgim;
-përshkrimin e vepës penale nga i cili shihen cilësitë e veprës penale, koha dhe vendi ku është kryer vepra penale, objekti në të cilin apo me të cilin vshtë kryer vepra penale, si dhe rrethanat tjera në mënyrë që të përcaktohet sa më saktë vepra penale;
– emërtimin ligjor të veprës penale duke iu referuar dispozitave të Kodit penale të Republikës së Maqedonisë;
– përcaktimin e gjykatës para së cilës do të mbahet shqyrtimi gjyqësor;
– propozimin rreth provave të cilat duhet të merren në shqyrtim gjyqësor, duke i shënuar emrat e dëshmitarëve dhe të ekspertëve, shkresat të cilat duhet të lexohen dhe gjësendet që shërbejnë si prove;
-Arsyetimin e aktakuzës.
Aktakuza, si akt procedural, ka rëndësi të dyfishtë:
- Nga njëra anë shërben si parakusht procedural për zhvillimin dhe rrjedhën e mëtejme të procedurës penale, respektivisht si parakusht për caktimin dhe mbajtjen e shqyrtimit gjyqësor;
- Nga ana tjetër, aktakuza, e përcakton objektin dhe vëllimin e shqyrtimit gjyqësor që do të thotë se gjykata do ta shqyrtojë vetëm veprën penale që është e përcaktuar në aktakuzë dhe vetëm fajësinë e personit që është përcaktuar në te[15].
Nxjerrja e qytetarëve para gjykatës dhe marrja e tyre në pyetje ka pasoja të caktuara, pavarësisht nga rezultati final i procedurës. Me qëllim që të mbrohen interesat individuale të qytetarëve dhe të pengohet nxjerrja e paarsyetuar e qytetarëve para gjykatës, paraprakisht duhet të shqyrtohet ligjshmëria dhe bazat e akuzimit nga ana e gjykatës. Në të drejtën e procedurës penale të Republikës së Maqedonisë parashihet kontrolli i akuzimit nga ana e gjykatës sipas detyrës zyrtare[16]. Përveç kontrollit të aktakuzës sipas detyrës zyrtare, LPP parasheh edhe mjet juridik me të cilin i mundësohet të pandehurit të mbrohet nga akuzat e pabaza, t`i atakojë bazat e aluzimit ndaj tij dhe në atë mënyrë ta pengojë nxjerrjen e lëndës në shqyrtim gjyqësor. Në pajtim me parimin kontradiktor, pasi që kryetari i trupit gjykues para të cilit duhet të mbahet shqyrtimi gjyqësor kryen kontrollë formale të aktit akuzues (shqyrton a i përmban elementet e domosdoshme dhe a ka gabime teknike), ai, një kopje të aktakuzës ia dorëzon të pandehurit. Gjatë dorëzimit, po ashtu e udhëzon të pandehurin për të drejtën e paraqitjes së kundërshtimit kundër aktakuzës në afat prej 8 ditësh nga dita e pranimit të aktit[17].
AKTGJYKIMI DËNUES- argumentin jashtë dyshimit të arsyeshëm
Pasi aktakuza ta fitojë formën e prerë, kalohet në shqyrtim gjyqësor, në të cilin gjykata pas shqyrtimit të gjithanshëm të provave duhet të vendosë për arsyeshmërinë e aktakuzës[18].
Qëllimi i shqyrtimit gjyqësor është shqyrtimi i çështjes dhe marrja e shpallja e aktgjykimit. Llojet e aktgjykimeve në procedure penale janë: aktgjykimi dënues, aktgjykimi refuzues dhe aktgjykimi lirues.
Për marrjen e aktgjykimit sipas dispozitave ligjore, gjykata duhet ta vlerësojë me ndërgjegje çdo prove veç e veç dhe në lidhshmëri me provat e tjera dhe në bazë të vlerësimit të tillë të nxjerrë përfundimin se a është një fakt i argumentuar apo jo (n.365, parag.2 i LPP- Teksti i spastruar). Kjo dispozitë parasheh që gjykata të bëjë vlerësim “të ndërgjegjshëm” të provave. Me “vlerësim të ndërgjegjshëm” nënkuptohet vlerësimi që bëhet duke i respektuar ato dispozita dhe rregulla të së drejtës së procedurës penale që kanë të bëjnë me veprimin e palëve dhe gjykatës në procesin e propozimit dhe grumbullimit të provave dhe dispozitat që kanë të bëjnë me mënyrën e nxjerrjes së atyre provave para trupit gjykues[19].
Qëllimi kryesor i të drejtës së procedurës penale është që asnjë i pafajshëm të mos dënohet kurse fajtorit t`i shqiptohet sanksioni i merituar, në procedurë ligjore. Të gjitha veprimet procedurale, gjatë rrjedhës së procedurës penale duhet të zhvillohen në pajtim me dispozitat ligjore. Por, për të shqiptuar aktgjykim dënues, gjykata duhet të jetë thellë e bindur në fajësinë e të pandehurit. Edhe pse të gjitha elementet formale të aktgjykimit (të të gjitha llojeve të aktgjykimeve) janë të përcaktuara me ligj, është e pamundur të përcaktohet dhe definohet me ligj çështja e bindjes së brendshme të gjykatës. Shkalla e bindshmërisë që duhet ta posedojë gjykata gjatë shqiptimit të aktgjykimit dënues njihet në teori si standardi i të provuarit jashtë dyshimit të arsyeshëm (prove beyond a reasonable doubt). Ky standard është dukshëm më i lartë se dy standardet që u përmendën më lartë, respektivisht standardit të bazave të dyshimit dhe atij të dyshimit të bazuar dhe njëherit është më i lartë edhe se standardi i nevojshëm në procedure gjyqësore civile (standardi i të provuarit në kufi të probabilitetit dhe standardi i të provuarit të qartë dhe bindës). Standardet civile megjithatë janë më të larta se standardet e procedurës parahetimore dhe hetimore penale, gjegjësisht:
Bazat e dyshimit<dyshimi i bazuar<të provuarit në kufi të probabilitetit< të provuarit e qartë dhe bindës< të provuarit jashtë dyshimit të arsyeshëm< siguri absolute.
Marrja e aktgjykimit dënues nga ana e gjykatës ka reperkusione ndaj pozitës së të pandehurit. Fillimisht, ai me aktgjykimin dënues shpallet fajtor për vepër konkrete penale dhe në pajtim me dispozitat ligjore duhet që ta vuajë dënimin të cilin ia ka shqiptuar gjykata në pajtim me dispozitat ligjore të Kodit penale të Republikës së Maqedonisë. Sanksionet e parapara në Kodin penal të Republikës së Maqedonisë janë: dënimi me burgim, dënimi me të holla, ndalesa e ushtrimit të veprimtarisë, detyrës dhe funksionit, ndalesa për të drejtuar automjetin dhe dëbimi i të huajt nga vendi[20].
PROCEDURA ME MJETET JURIDIKE
Pas shpalljes së aktgjykimit, palët kanë të drejtë dhe mundësi që të paraqesin mjete jurudike kundër aktgjykimit të gjykatës. Llojet e mjeteve juridike në legjislacionin procedural penale të Republikës së Maqedonisë janë: mjetet e rregullta dhe mjetet e jashtëzakonshme juridike. Në grupin e mjeteve të rregullta juridike bëjnë pjesë: ankesa kundër aktgjykimit të shkallës së parë, ankesa kundër aktgjykimit të shkallës së dytë dhe ankesa në aktvendim, kurse në grupin e mjeteve të jashtëzakonshme juridike bëjnë pjesë: rishikimi i procedurës penale, kërkesa për zbutje të jashtëzakonshme të dënimit, kërkesa për mbrojtje të ligjshmërisë dhe kërkesa për rishyrtim të jashtëzakonshëm të aktgjykimit të formës së prerë. Mjetet e rregullta juridike mund të paraqiten në afat të caktuar para se aktgjykimi ta fitojë formën e prerë kurse mjetet e jashtëzakonshme juridike mund të paraqiten pasi që aktgjykimi ta ketë fituar formën e prerë.
Mjeti më i shpeshtë i rregullt juridik është ankesa. Personat e autorizuar për paraqitjen e ankesës, sipas LPP të RM-së janë: palët procedurale, mbrojtësi, përfaqësuesi ligjor i të akuzuarit dhe i dëmtuari. Në dobi të të pandehurit ankesë mund të paraqesin edhe bashkëshorti martesor apo jashtëmartesor i të pandehurit, të afërmit e gjakut në vijë të drejtë, adoptuesi, i adoptuari, vëllau, motra dhe ushqyesi.
Bazat për paraqitjen e ankesës, sipas LPP të RM-së (n.380) janë: 1). Shkeljet esenciale të dispozitave të procedurës penale; 2). Shkeljet e Kodit penal; 3). Vërtetimi i gabueshëm ose jo i plotë i gjendjes faktike dhe 4). Vendimi mbi sanksionin penal, konfiskimin e dobisë pasurore, shpenzimeve të procedurës penale, kërkesës pasurore-juridike si dhe për shkak të vendimit për shpalljen e aktgjykimit nëpërmjet të mjeteve të shtypit, radios ose televizionit.
Gjatë rrjedhës së procedurës me mjetet juridike, me rëndësi të jashtëzakonshme dhe në favor të pozitës së të pandehurit janë dy institute të vjetra juridike dhe ate: beneficium cohaesionis dhe reformation in peius. Sipas institutit beneficium cohaesionis (beneficioni, përfitimi nga bashkëngjitja), në rast se për një vepër penale janë dënuar disa persona (koneksitet subjektiv) dhe vetëm njëri nga ata ka paraqitur mjet juridik, gjykata e shkallës së dytë, gjatë shqyrtimit të ankesës, nëse çmon se vendimi i saj pas mjetit juridik duhet të refloektohet dhe të sjellë dobi jo vetëm për të pandehurin që ka paraqitur mjetin juridik, por mund t`i sjellë dobi edhe ndonjërit nga të bashkëakuzuarit e tij që nuk ka paraqitur ankesë, duhet të vepron sikur se edhe ai i pandehur të ketë paraqitur ankesë.
Instituti refomatio in peius- moskeqësim i pozitës së të pandehurit paraqet institut procedural që po ashtu është në dobi të të pandehurit. Sipas këtij instituti, nëse mjeti juridik është paraqitur vetëm në dobi të të pandehurit, gjykata e shkallës së dytë, pas shyrtimit të mjetit juridik nuk ka të drejtë të sjellë aktgjykim të ri me të cilin do të keqëson pozitën e të pandehurit. Ky institut ka për qëllim që i pandehuri apo personat e autorizuar për paraqitje të mjetit juridik në dobi të tij, të mos tërhiqen nga shfrytëzimi i mjetit juridik nga frika se aktgjykimi i marrë do të ndryshohet në dëm të të pandehurit.
Literatura:
- Krapac Davor, Kazneno Procesno Pravo, Botimi i katërt i plotësuar dhe i ndryshuar, Zagreb, 2010,
- Definitions of Probable Cause vs. Reasonable Suspition, http://www.ehow.com/facts_5003941_definitions-cause-vs_-reasonable-suspicion.html
- Differnces between Reasonable Suspition & Probable Cause http://www.ehow.com/facts_5901465_differences-reasonable-suspicion-probable-cause.html
- Kodit penal i Republikës së Maqedonisë, Teksti i spastruar, Gazeta zyrtare nr. 19, 30.03.2004
- Legal Burden of Proof, http://en.wikipedia.org/wiki/Legal_burden_of_proof
- Ligji i procedurës penale- Teksti i spastruar, Gazeta zyrtare e Republikës së Maqedonisë nr.15, 07.03.2005
- Ligji i procedurës penale, Gazeta zyrtare e Republikës së Maqedonisë nr. 150, 18.10.2010
- Nikola Matovski, Gordana Lazhetiq- Buzharovska, Gordan Kalajxhiev, Kazneno procesno pravo, Botimi i dytë i plotësuar dhe ndryshuar, Shkup, 2011
- Probable cause v. reasonable suspition, 2006godina,
- Probable Cause, Reasonable Suspicion, and Reasonableness Standards in the Context of the Fourth Amendment and the Foreign Intelligence Surveillance Act, Congressional Research Service, 30.01.2006., http://www.fas.org/sgp/crs/intel/m013006.pdfhttp://donsobservs.blogspot.com/2006/08/probable-cause-v-reasonable-suspicion.html
- Sahiti Ejup, Zejneli Ismail, E drejta e procedurës penale e Republikës së Maqedonisë, Tetovë, 2007
[1]Fakulteti Juridik, Universiteti Shtetëror i Tetovës; artabilalli@yahoo.com
[2] Nikola Matovski, Gordana Lazhetiq-Buzharovska, Gordan Kalajxhiev, Kazneno procesno pravo, Botimi i dytë i plotësuar dhe ndryshuar, Shkup, 2011, fq. 271
[3]n.21, parag. 1, pika 14 e Ligjit të ri të procedurës penale, Ligji i procedurës penale, Gazeta zyrtare e Republikës së Maqedonisë nr. 150, 18.10.2010
[4]Legal Burden of Proof, http://en.wikipedia.org/wiki/Legal_burden_of_proof
[5]Probable Cause, Reasonable Suspicion, and Reasonableness Standards in the Context of the Fourth Amendment and the Foreign Intelligence Surveillance Act, Congressional Research Service, 30.01.2006., http://www.fas.org/sgp/crs/ intel/m 013006.pdf
[6]Ejup Sahiti, Ismail Zejneli, E drejta e procedurës penale e Republikës së Maqedonisë, Tetovë, 2007, fq. 233
[7] Ligji i procedurës penale- Teksti i spastruar, Gazeta zyrtare e Republikës së Maqedonisë nr.15, 07.03.2005
[8]Matovski, Lazhetiq- Buzharovska, Kalajxhiev, fq. 276
[9] n.21, parag.1, pika 15 e LPP të ri të Republikës së Maqedonisë
[10] Probable cause v. reasonable suspition, 2006, http://donsobservs. blogspot.com /2006/08/probable-cause-v-reasonable-suspicion.html
[11] Ibid.
[12] Definitions of Probable Cause vs. Reasonable Suspition, http://www.ehow .com/facts_5003941_definitions-cause-vs_-reasonable-suspicion.html
[13]Differences between Reasonable Suspition & Probable Cause http://www. ehow.com/facts_5901465_differences-reasonable-suspicion-probable-cause.html
[14]Sahiti- Zejneli, fq. 247
[15]Matovski- Buzharovska-Kalajxhiev, fq. 285
[16]Po aty, fq. 290
[17] Po aty, fq. 92
[18] Sahiti- Zejneli, fq.257
[19] Davor Krapac, Kazneno Procesno Pravo, Botimi i katërt i plotësuar dhe i ndryshuar, Zagreb, 2010, fq. 402
[20] n. 33 i Kodit penal të Republikës së Maqedonisë, Teksti i spastruar, Gazeta zyrtare nr. 19, 30.03.2004