July 10, 2014 - Admin
ROLI DHE FUNKSIONI POLICISË NË ETAPAT E ZHVILLIMIT TË SHOQËRISË NJERËZORE
Dr.doc. Qebir AVZIU
Armend HALIMI
Abstract
In this paper will be discussed the role and importance of the police in modern democratic society. Through this paper will try to show the weight of police and other structures of the Ministry of Internal Affairs in the integration processes.
We live in a time period when radically differs the way and style of life. Opportunity for rapid transfer of data and information from one country in another country, enabled the man to have a much happier life than ever. Indeed the information era is known as the golden age of humanity, which enable rapid integration of human society. But among other things, in the integration and globalization of human society, no doubt that police has important place.
Firstly we will talk that these days has significantly changed the concept of justice and especially the concept of the role of the police.
In this regard, the imperative of any state that claims to be part of democratic states is respect of human rights and freedoms. Indeed today there isn’t more important barometer in assessing a law state, than disrespect of human rights and freedoms. In this prism the police of modern states must be designed not (only) as a brutal line up, but as a formation based on the values of the citizens and be their service. Policeman of a modern society, should be educated and prepared that conflicts and problems that appear to him, to be resolved with nonviolent methods. He instead of confrontation and conflict must choose communication. From policeman of a modern society is required not only to distinguish colours, but to be able to discern multiple tones of a colour.
- Përkufizimi i nocionit polici
Nocioni i policisë me pak dallime është i njëjtë në të gjitha vendet e botës. Në Athinë dhe në shtete të tjera të Greqisë së vjetër, fjala Polis kishte domethënien e qyteteve-shtete.[1]Historikisht roli dhe funksionin i policisë, ka ndryshuar varësisht nga trajtimi vlerave gjatë periudhave të ndryshme të zhvillimit të shoqërisë njerëzore. Termi Police për herë të parë u përdorë në Francë në vitin 1250 dhe me të nënkuptoheshin të gjitha funksionet e shtetit, duke nisur nga ajo ligjdhënëse, administrative dhe gjyqësore, kurse më vonë puna e policisë do të kufizohej vetëm në punët e brendshme të shtetit në rend të parë ky organ ishte ngarkuar me kompetencë që të mënjanonte të gjitha veprimet që rrezikonin sigurinњ e shtetit.
Në kuptimin e vërtet, termi “Polici” për herë të parë u përdor në Republikën e parë Franceze, pas revolucionit të 1789, kur nga Napoleon Bonaparti u hodh ideja e një policie civile, kurse në vitin 1804 krijohet policia që sot e njohim apo “Police Nationale”.[2]
Sa i përket aspektit historik, kuptohet që sikurse e gjithë shoqëria që i është nënshtruar zhvillimit, ndryshimit dhe përparimit ashtu siç ka kaluar koha, edhe organi i policisë ka evoluar nëpër etapa të caktuara apo periudha kohore. Edhe vetë emërtimi i këtij organi, nëpër etapa dhe vende të caktuara ka qenë i ndryshëm. Në Romën e lashtë, milicia ka përfaqësuar shërbimin për mbrojtjen e qyteteve dhe mbajtjen e rendit në to. Kështu, emërtimi milicia, që rrjedh nga fjala latine “militia”, është përdorur edhe nëpër vende kryesisht të bllokut komunist (ish-Jugosllavi). Pra, me këtë term është quajtur edhe Policia në Maqedoni, Kosovë etj. Ndërsa, prej shekullit XVII, deri në shekullin XIX, milicia në gjithë Evropën merr rolin e forcës së armatosur vullnetare, e cila i shërbente mbrojtjes së regjimit të vendit në raste kur paraqitej rreziku.[3] Por sot kuptohet pas revolucionit francez përdoret termi polici, dhe në të gjitha vendet demokratike ka funksion të njëjtë, prandaj edhe përkufizohet ngjashëm, thënë më thuktë, të gjithë nisen nga funksioni që organi i policisë i ka në mbrojtjen e qytetarëve dhe aparatit shtetëror. Në literaturë mund të gjenden definime të ndryshme, kështu, sipas prof. dr. Vesel Latifit: “Policia është organ shtetëror që kujdeset për mbrojtjen e shoqërisë nga kriminaliteti, për mbrojtjen e rendit dhe qetësisë publike si dhe sigurimin e rendit të caktuar shtetëror”.[4] Ndërsa, sipas Bajram Yzeirit, policia definohet si “institucion i administratës shtetërore e inkuadruar në strukturat e pushtetit ekzekutiv”.[5] Sipas Henrik Ligorit: “Policia është tërësi organesh shtetërore dhe entesh tjera publike, veprimtaria e të cilave synon të sigurojë kushte normale për një zhvillim të qetë të jetës së qytetarëve, dhe për përparimin shoqëror të vendit”.[6]
Kurse Rezoluta 690 (1978), e Asamblesë Parlamentare të KE, institucionit të policisë atë e përkufizon “Si shërbim publik i krijuar me ligj që ka për detyrë të mbrojë e të zbatojë ligjin”.[7]
- Zhvillimi i policisë nëpër disa etapa
Policia është një ndër organet më të vjetra të shoqërisë njerëzore. Zhvillimi dhe zanafilla e nocionit të policisë dhe format e para organizative të saj, janë të kushtëzuara me vetë zhvillimin e shoqërisë njerëzore, prandaj rrënjët e saj i gjejmë bile edhe para ekzistimit të shtetit dhe të drejtës, pra edhe në bashkësitë primitive.[8]Kjo është kështu pasi kusht elementar mbi ekzistencën dhe zhvillimin e shoqërisë, gjithmonë ka qenë rendi dhe mbrojtja e saj.
Fillimisht, shoqëria njerëzore nuk ka qenë e rrezikuar vetëm nga faktorët natyror dhe lufta për të mbijetuar nga kafshët, por fisi njëkohësisht është dashur të mbrohet edhe nga sulmet e fiseve tjera, si dhe nga vetë individët brenda fisit të cilët nuk janë sjellë në pajtueshmëri me rendin shoqëror, sa do që ai ka mundur të jetë primitivë. Rregullat kanë qenë të domosdoshme, por nuk duhet harruar se gjithmonë janë gjetur individ, të cilët kanë nëpërkëmbur rregullat e shoqërisë me çka kanë nxitur reagimin e shoqërisë kundër tyre.[9]Prandaj mund të thuhet se rreziku ka qenë evident dhe i përhershëm kurse mbijetesa (e fisit) ka mund të sigurohet vetëm nëpërmjet të mbrojtjes kolektive, karakteristikë e cila edhe sot e kësaj dite i mveshet të gjitha shoqërive moderne.
Por zanafillën dhe zhvillimin e vet, policia duhet kërkuar në ecejaket e zhvillimit të vet shtetit, sepse ajo ishte mekanizëm i shtetit, ajo çdo herë në të gjitha tipet e zhvillimit dhe evolucionit të shteteve, ishte në funksion të kreut të shtetit (mbretit, perandorit, Sundimtarit, me një fjalë qeverisë). Fillet e para për gjatë historisë i gjejmë në Egjiptin e Vjetër, në Mesopotami, ku mendohet se lindi civilizimi.[10]
2.1. Policia në periudhën skllavopronare
Në periudhën skllavopronare, në fillim policia sikurse e gjithë shoqëria krahasuar me periudhat e më vonshme, kishte një organizim dhe zhvillim shumë të dobët. Në këtë periudhë të organizimit dhe zhvillimit të policisë, i kanë parapri Athina dhe Roma, vende të njohura për nga zhvillimi i gjithmbarshëm i shkencës. Këto vende kishin krijuar rregulla sikurse janë sot normat juridike, edhe pse ato karakterizoheshin me atë që normat ishin të pashkruara, megjithatë ata kishin vlerë
në rregullimin e sjelljeve ndërnjerëzore, kështu kur dikush i shkelte ato, pasonte sanksioni ashpër me pasoja të rënda për integritetin fizik, si: prerja e dorës, shënjim, varje, copëtim, etj.
Në Romë deri në shekullin e III-të p.e.s, e në Greqi deri në shekullin e VII-të p.e.s, funksionin e policisë e kanë ushtruar gjykatësit, ushtarët dhe pronarët e pronave të mëdha apo skllavopronarët. Roli i policisë në Greqinë e vjetër ishte që të kryej funksionet shtetërore, ndërsa, vizioni i saj dhe parimet për kontrollin e kriminalitetit, më së miri vërehen në Kodin e Hamurabit.[11] “Për shkak të mos zhvillimit të policisë, në shtetet skllavopronare do të zhvilloheshin forcat ushtarake dhe shërbimet informative”.[12]Rreth vitit të gjashtë të epokës sonë, në perandorin Romake ka pasur patrullat e milicisë shtetërore. Vlen të ceket se në Perandorinë Romake, i pari formoi milicinë perandori Gaius Octavius, afërsisht rreth vitit 27 para erës së re.[13]
2.2. Policia në periudhën e mesjetës
Koha e mesjetës siç njihet shënon etapën më të errët të njerëzimit dhe stagnimit të zhvillimit të gjithmbarshëm shoqëror. Në këtë periudhë të gjitha funksionet i takonin kishës, deri tek shfaqja e monarkisë absolute. Mesjeta karakterizohet për nga vrazhdësia që aplikohej ndaj kundërshtarëve të pushtetit të kishës, mendimtarëve e filozofëve që binin në kundërshtim me idetë e saj dhe kryesve të krimeve me ndëshkime më brutale. Policia në këtë periudhë (inkuizicioni) vihet në duart e Inkuirentit i cili ishte organ i gjykatës, por e gjithë procedura dhe dënimet jepeshin sipas botëkuptimeve kishtare. Me shfaqjen e monarkut, humbin edhe autorizimet e kishës, gjë që bënë të vetmen karakteristikë të kësaj periudhe. Të gjitha funksionet si ato të legjislacionit, gjyqësisë dhe policisë tani më bien në dorë të monarkut, gjë që monarkun e bënë me autoritet suprem apo me të drejta të pakufizuara. Nën sundimin e monarkut, policia organizohet nën ombrellën e ushtrisë, pra ushtria kryen edhe funksionet e policisë.
Në Angli, në mesjetë ekzistonte një organizim tjetër i punëve policore. Udhëheqësit shtetëror aty organizonin ruajtjen e rendit nga disa persona të caktuar[14].
2.3. Policia në periudhën e feudalizmit deri tek shoqëria bashkëkohore
Periudha e feudalizmit në krahasim me periudhën paraprake, karakterizohet me zhvillime evolutive të theksuara në të gjitha marrëdhëniet, në këtë drejtim edhe në aspektin e policisë. Karakteristika e parë është se fillon ndarja e pushteteve, të cilat në periudhën e mesjetës i mbante vetëm një person, kisha apo monarku. Në këtë periudhë, përveç organizimit të pushtetit, siç ishte ndarja e funksioneve, karakteristik tjetër është edhe pagesa e forcave të rendit. Në kontinentin e vjetër, Anglia ishte që ju parapriju zhvillimit të policisë. Në këtë vend “Mbreti emërtonte sherifin i cili ka zbatuar gjobën në të holla dhe ka mbikëqyrur ruajtjen e rendit dhe qetësisë. Ky sistem i punës është mbajtur në kontinuitet me shekuj”.[15] Kryesisht sistem i tillë i punës policore ka përcjell deri në ndryshimet e mëdha që kanë karakterizuar njerëzimin.
Për këtë periudhë vlen të theksohen këto ngjarje: -Magna Carta e vitit 1215 që u shfaq si reagim ndaj shkeljes së ligjeve dhe korrupsionit;
Në shekullin XIII Anglia ishte me gjendje tejet të rëndë të shfaqjes së kriminalitetit, gjë që nxiti mobilizim të gjithmbarshëm të shoqërisë për mbrojtje nga kriminaliteti dhe luftimin e tij. Në këtë drejtim në vitin 1285, u vendos statusi i mirëkuptimit i Winchesterit, në të cilin thuhej: “secili qytetar i aftë fizikisht të posedojë armë. Secili qytetar duhet të thërras në ndihmë dhe të asistojë dhe të mbrojë sigurinë qytetare. Të formojë sistemin “vëzhgo” natën dhe ditën në zona të ndara”.
Po ashtu formalizoi komunat me sistem zotimi për ruajtje të rendit dhe sigurisë publike.[16]Në vende të caktuara (si p.sh. në Francë), zhvillimi dhe organizimi i mëtutjeshëm i policisë vinte duke u zgjeruar e avancuar, kështu që nga fundi i sistemit feudal, policia franceze do të bëhej model organizimi për shumë polici të shteteve të tjera, si: Austri, Gjermani dhe shtete të tjera të Evropës.[17]Këtij ndryshimi i parapriju Revolucioni Borgjez Francez i vitit 1789, që pasoj me ndërrim të sistemit nga ai feudal në atë kapitalistë. Më vonë krahas ndryshimeve të thella në planin shoqëror, ekonomik, politik, kulturor etj., shënohen ndryshime të mëdha edhe në fushën e politikës ndëshkimore ndaj kriminalitetit në përgjithësi[18].
Pas këtyre ndryshimeve, në qytetet e Evropës u mësyn masë e madhe e njerëzve, duke bërë që krahas rritjes së numrit të banorëve të rriten edhe format e ndryshme të kriminalitetit dhe dukurive negative. Kjo edhe nxiti shtetet evropiane që të nxitojnë me organizimin më të madh dhe profesional të policisë. Kështu në Francë në vitin 1796 formohet Ministria e Policisë së Përgjithshme apo Policisë Nacionale, e cila më vonë do quhej Ruajtësit e Paqes apo Sigurimi Kombëtar, pastaj më vonë ndahet në Policinë Gjyqësore dhe atë Administrative. Në vitin 1829, parlamenti anglez miratoi ligjin që parashikonte krijimin e një policie të re në Londër.[19]Një ngecje krahasuar me Francën dhe Anglinë, për sa i përket sistemit shoqëror në përgjithësi dhe sidomos policisë, kishte ndodhur në Rusi, “Mezi në vitin 1911 Ministria e Punëve të Brendshme hartonte planin për një reformim të policisë ruse me qëllim të evropianizimit të saj”.[20] Reformimin dhe standardizimin e policisë, model i së cilës ishte Franca dhe Anglia, e trasuan edhe shtete e tjera të Evropës, gjë që shërbeu edhe për zhvillimin e policisë së SHBA-së. Por edhe gjatë kësaj periudhe përsëri policia ishte e prirë që të mbrojë pushtetmbajtësin e jo qytetarin. Edhe pse tani më kishte filluar specializimi policisë, përsëri në këtë periudhë nuk mund të bisedohet për edukimin e policisë në mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të njeriut, sidomos jo, sipas konceptit dhe botëkuptimeve që sot i ka bota bashkëkohore. Në të kaluarën, bile edhe në vendet demokratike policia ushtrohej që të ishte sa më e dhunshme, që të shtinte sa më shumë tmerr tek popullata. Kështu pjesëtarët e policisë e kishin të ndaluar që gjatë ushtrimit të detyrës të kontaktonin dhe të bisedonin me qytetarët. Kjo ndalesë arsyetohej me faktin se po të lejoheshin pjesëtarët e policisë të bisedonin me qytetarët, atëherë mes tyre mund të lindte miqësia, me çka rrezikohej shteti dhe monarku.
Pastaj policët edukoheshin që gjatë ushtrimit të detyrës të ushtrojnë sa më shumë dhunë që ishte e mundur, të ishin sa më brutal e më të vrazhdë me qytetarët. Pjesëtarëve të policisë u thuhej se gjatë zbatimit të ligjit, nuk duhet të tregonin shenja të dobësisë duke treguar mëshirë, ata nuk guxonin të ishin të butë, sepse butësi ishte atribut që nuk shkonte në favor të mbrojtjes së vlerave të shtetit. Në rastet kur qytetarët do të protestonin, do të kishte trazira, policia duhet të përdorte forcë sa më shumë që ishte e mundshme. E gjithë kjo arsyetohej me atë që shteti ishte mbi të gjitha dhe në mbrojtjen e këtyre vlerave, policët aspak nuk duhet kursenin forcën dhe brutaliteti. Nga ana tjetër kjo do të barte një mesazh të qartë tek të gjithë popullata se shteti do të ishte i pamëshirshëm ndaj atyre që do merrnin guximin të vihet në anën e kundërt të pushtetmbajtësve. Në ndërkohë, kur pjesëtarët e policisë përdornin forcë, kur kjo aspak nuk ishte e nevojshme, ndaj tyre përsëri nuk ndërmerrej asnjë ndëshkim. Në këtë periudhë, policia ishte e pozicionuar jashtë qytetit, nëpër kazerma, që linte përshtypjen e një organi ushtarak, që qëndron në distancë (larg) nga qytetarët, që vetvetiu nënkupton se ky organ mbron vetëm pushtetin. Më vonë në bazë të ideve humane mbi zhvillimin e konceptit mbi mbrojtjen e të drejtat dhe lirive të njeriut, sidomos pas revolucionit Francez Borgjez.
Nga kjo mund të përfundojmë se policia ka qenë historikisht institucioni më i privilegjuar i shtetit dhe kjo është shumë e logjikshme sepse vetë ekzistenca dhe mbijetesa e pushtetmbajtësve, varej pikërisht nga ky organ. Por nuk duhet harruar se përdorimi jo i drejtë i forcës dhe privilegjet e shumta të policisë, dhanë efekte negative dhe të kundërta nga ato që mendonin pushtetmbajtësit, sepse përdorimi i tepruar i forcës ishte një nga shkaqet e rëndësishme që nxitnin revolta dhe kryengritjen e qytetarëve, që të përmbysnin regjimet e dhunshme.[21]
2.4. Policia në shoqëritë bashkëkohore
Në të kaluarën me plotë të drejtë mund të themi se policia ishte kryevepra e shtetit dhe simbol i fuqishëm i pushtetit. Por këto fjalë mund të mveshen edhe sot këtij organi, pasi barra dhe rëndësia lidhur me ekzistencën e shtetit edhe më tej i takon këtij organi. Prandaj, nuk është e rastit që kushdo që vinë në pushtet, puna e parë është në krye të këtij organi të venë njeriun më të besueshëm që ka, me çka shkopin magjik e bënë për vete. Policia edhe sot në shoqëritë demokratike, është një organ që sipas botëkuptimeve të qytetarëve më shumë është i lidhur për mbrojtjen dhe sigurinë e shtetit se sa të qytetarëve, por për dallim nga e kaluara ky organ më nuk është një tabu rreth së cilës nuk mund të bisedohet. Përveç kësaj, sot policia është e lidhur me konceptin e të drejtave dhe lirive të njeriut dhe krahasuar me të kaluarën janë bërë përmirësime të dukshme, në edukimin e policisë, sidomos në kufizimin e pushtetit dhe arbitraritetit policor. Në shumë vende të botës, këtu edhe në R.Maqedonisë, sot mbahen trajnime të posaçme të pjesëtarëve të policisë, me të cilën dëshirohet që ata të jenë sa më pranë qytetarit dhe në luftimin e kriminalitetit, të krijohet një partneritet mes tyre.
Sot kërkohet që policia të dizajnohet, jo vetëm si formacion brutal, por si institucion që dinë dhe është i edukuar problemet në shoqëri t’i zgjidh me metoda jo të dhunshme. Institucion i cili do të jetë i ushtruar që në rastet kur do të lindin konfliktet përparësi do t’ju japë metodave paqësore, ata do të dinë që nëpërmjet të bisedave, komunikimeve dhe jo konfrontimeve.
Por edhe në ditët e sodit, policia dallon nga organet tjera jo vetëm për shkak të pamjes së jashtme (uniformës) ku qartazi shihen mjetet e dhunshme, por edhe për shkak të kompetencave të gjëra që ka dhe mundësia që në raste të caktuara të tejkalojë kompetencat ligjore. Sot kërkohet që roli dhe operacionet e policisë të jenë sa më humane dhe të zhvillohen gjithnjë në përputhje me legjislacionin vendas dhe standardet ndërkombëtare të pranuara nga vendi përkatës. Kuptohet se edhe sot roli dhe funksioni policisë, ndërlidhet drejtpërdrejtë me rregullimin politiko-shoqëror të vendeve nacionale. Kështu edhe sot në vendet jodemokratike, roli dhe funksioni policisë dallon nga vendet demokratike. Deri sa të parët kanë prioritet mbrojtjen e pushtetmbajtësve, të dytët më shumë kujdes ju kushtojnë mbrojtjes së të drejtave dhe lirive të njeriut. Por pavarësisht vendit dhe sistemit politik, çështjes së zhvillimit dhe profesionalizimit të policisë i është kushtuar rëndësi e madhe, ngase është interes i shoqërisë që përgatitja sa më e mirë mundëson mbrojtje nga kriminaliteti, respektivisht parandalimin dhe luftimin e tij. Policia është pjesë e sistemit të drejtësisë penale të vendit. Në këtë drejtim, policia është shumë e përafërt me institucionet e judikaturës, kur të merret parasysh funksionimi dhe aktiviteti saj, andaj llogaritet në mesin e institucioneve të judikaturës penale.[22]Roli i policisë brenda këtij sistemi konsideroj se është i pazëvendësueshëm, ngase siç thuhet në shkencën procedurale, “policia gjendet në vijën e parë të frontit”.[23]
Por për dallim nga institucionet tjerat që në këtë luftë qëndrojnë si të thuash pas “shpinës së saj” roli dhe funksioni policisë është që ajo e ka fatin gjithmonë të jetë e para në luftën kundër kriminalitetit dhe në mbrojtjen e vlerave të shoqërisë, që vetvetiu jo rrallëherë implikon përdorimin e mjeteve të dhunshme. Pikërisht përdorimi forcës është karakteristika që këtë organ e mveshë gjatë gjithë etapave të zhvillimit të shoqërisë njerëzore, që nga ana përdorimi dhunës e ka bërë që policia të jetë aq jopopullor dhe aq i urryer. Por sot për dallim nga e kaluara, puna e policisë bazohet mbi parimin e humanizmit, objektivitetit, respektimit të lirive dhe të drejtave të njeriut etj. Parimet në fjalë, forcojnë bazën juridike të shtetit.[24]Vetëm atëherë kur organet shtetërore nisen nga parimet e lartpërmendura, mund të flasim për shtetin ligjor dhe demokratik. Jeta në demokraci duhet jetë e atillë, që çdo kush të ketë liri maksimale për të praktikuar të drejtat e tij, aq sa të tjerëve nuk ua cenon këto të drejta. Kurse policia në këtë drejtim me punën e saj në asnjë mënyrë nuk mund të paraqitet si pengesë e gëzimit të të drejtave dhe lirive të qytetarëve, duke përdorur forcën e tepruar. Mandej sot përdorimi forcës është barometri kryesor në pasqyrën e shtetit demokratik dhe sundimin e ligjit. Në ato vende ku policia shpesh përdorë forcën, kjo vetvetiu është indikator se sistemi demokratik është në krizë të thellë dhe se duhen reforma të saj. Personeli policor domosdo duhet ti nënshtrohet të njëjtit legjislacion si edhe qytetarët e thjesht dhe përjashtim janë vetëm rastet e justifikuara me arsye të punës policore në një shoqëri demokratike. Policia është e organizuar në mënyrë të tillë që të gëzojë respektin e publikut si një strukturë profesioniste për mbrojtjen e ligjit dhe sigurimin e shërbimeve për publikun. Policia dhe personeli i saj i veshur me uniform normalisht duhet të jenë lehtësisht të dallueshëm. Personeli policor në të gjitha nivelet është personalisht përgjegjës dhe i përgjegjshëm për veprimet ose mosveprimet e veta ose për urdhëratë e dhënë vartësve të tyre.
Organizimi i policisë duhet të bëhet sipas një sistemi të qartë të komandimit brenda policisë, duhet të jetë gjithnjë e mundshme të konkludohet se tek cili epror qëndron përgjegjësia për veprimet ose mosveprimet e personelit të policisë. Policia duhet të gëzojë pavarësi të mjaftueshme nga organet e tjera shtetërore në kryerjen e detyrave të saj specifike policore, për të cilat mban përgjegjësi të plotë. Policia duhet të jetë organizuar në mënyrë të tillë që të vendosë marrëdhënie të mira midis saj dhe publikut si dhe, sa herë nevojitet, një bashkëpunim të efektshëm me agjenci të tjera, komunitetet lokale, organizatat joqeveritare, dhe grupe të tjera përfaqësuese të publikut, duke përfshirë grupe të pakicave kombëtare. Strukturat e policisë duhet të jenë të gatshme t’i japin publikut informacion objektiv për aktivitetet e saj, pa zbuluar informacion konfidencial. Policia në shumë shtete është institucion publik-civil dhe i organizuar në bazë të ligjit. Pra policia është institucion i administratës publike, i inkuadruar pranë strukturave të pushtetit ekzekutiv.
Në të vërtetë sot ekzistojnë parime dhe tregues të ndryshëm në mijëra organizata të policisë anë e kënd botës, të cilat e përshkruajnë veten si polici, por nuk ekziston një konsensus universal lidhur me natyrën e policisë. Në vitin 2001, Këshilli i Evropës ka nxjerr Kodin Evropian të Etikës Policore (KEEP-ja), si përgjigjeje mbi nevojat për formimin e parimeve dhe udhërrëfyesve për objektivat, paraqitjen dhe përgjegjësitë për një polici, që do të kujdeset për sigurinë dhe të drejtat individuale në shoqëritë demokratike të qeverisura nga sundimi i ligjit. Por duhet thënë se “Roli dhe qëllimi kryesore i policisë në një shoqëri demokratike të udhëhequr nga forca e ligjit është: të mbrojë qytetarin, qetësinë publike dhe rendin në shoqëri; të mbrojë dhe respektojë të drejtat dhe liritë themelore të njeriut të sanksionuara, veçanërisht, në Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut; të parandalojë dhe luftojë krimin; të zbulojë krimin; të kryej funksione të ndihmës dhe shërbimeve për publikun”.[25]Me qëllim që policia përgjithësisht të jetë organizuar në atë mënyrë që të shërbejë në të mirë të shoqërisë, Kodi Evropian i Etikës rekomandon mënyrën e organizimit të policisë, ku thuhet: “struktura organizative e policisë duhet të jetë e tillë që të nxisë dhe krijojë besimin ndërmjet policisë dhe publikut. Një aspekt i rëndësishëm në këtë drejtim është tendenca që të zhvillohet në nivel më të lartë profesionalizmi në radhët e policisë. Një tjetër aspekt është të transferohet organi i policisë në një organ të shërbimit publik. Në këtë mënyrë publiku mund ta konsiderojë policinë më shumë një shërbim në dispozicion të tij sesa një forcë e imponuar mbi ta”.[26]
Prandaj në projektet e lartpërmendura, kërkohet që polici të kuptoj se ai nuk është ushtar i izoluar nga mesi, por qytetar që mban uniformë dhe që i dinë hallet e tyre, me një fjalë nga ai kërkohet jo vetëm të ketë njohuri e të dalloj se përveç të bardhës dhe të zezës ekzistojnë edhe ngjyra tjera, por kërkohet që të ketë aftësi të dallojë nuancat e shumta të një ngjyre. Në fakt nga policia e sotme, shoqëria kërkon që t’i shërbej asaj ashtu siç i shërben shëndetësia, arsimi dhe institucionet tjera. Pastaj, policia në R. E Maqedonisë mbikëqyret vetëm nga mekanizmat e kontrollit të brendshëm dhe është i vetmi shtet i Evropës që nuk lejon ngritjen e mekanizmave të kontrollit të jashtëm qytetarë. Me këtë mbetet dyshimet se edhe në rastet kur ajo i shkel të drejtat dhe lirit e njeriut, mbetet e padënueshme sepse mekanizmat aktual nuk japin garancinë e nevojshme se do të zhvillojnë hetime të paanshme dhe të pavarura në pajtueshmëri me standardet ndërkombëtare, kur policia do të përdorë forcën. Shteti i madh demokratik, është ai që edhe në rastet kur tejkalon kompetencat dhe shkelen të drejtat e njeriut, ka kapacitet dhe kurajën të pranojë se organi kishte shkelur ligjet dhe kishte tejkaluar kompetencat dhe të zhvillojë hetime të paanshme dhe objektive në pajtueshmëri me parimet e Stambollit dhe parimet e Parisit. Edhe në rastet kur përdoret forca, do ishte mirë që policia qytetarëve (publikut) t’ju mundësojë pamje video nga aksionet policore, ku qytetari lirshëm do të mund të shohin se a ka pasur keqpërdorim të pushtetit apo jo. Vetëm kështu do të mund të ritet mirëbesimi në mes qytetarëve dhe policisë. Mandej kjo duhet të jetë edhe një obligim për qeverinë, sepse shteti demokratik në fund të fundit s’ka se çfarë të fshehë nga taksapaguesit e vet.
LITERATURA
LIBRA DHE PUBLIKIME TË SHFRYTËZUARA DHE TË CITUARA
Begeja Skender, “Kriminalistika”, Tiranë, 2004
Bajgora Ali,“Krimet kundër lirive dhe të drejtave të njeriut në Kosovë”, Prishtinë, 1998
Bajgora Ali,”Veprat penale kundër lirisë së pers. në planin krahasues”, Prishtinë, 1999
Elezi Ismet dhe Vasilika Hysi, “Politika kriminale”, Tiranë, 2006
Halili Ragip, “Viktimologjia”, Prishtinë, 2007
Latifi Vesel, “Kriminalistika”, Prishtinë, 2011
Milosoveliç Bogolujb, “Nauka o policije”, centar za antiratnu akciju, Beograd, 1997
Rover Cess der, “Të shërbesh dhe të mbrosh”, Gjenevë, 1998
Roberg Roy, John Clark i Jack Kuykendall, “Policia i drustvo”, Sarajevo, 2004
Shishani Fitim, “Rol i policisë në parandalimin e kriminalitetit”, Prishtinë, 2006
[1] Milosavljeviç, B., “Nauka o policiji” Beograd, 1997, f. 3;
[2] Kosta, A., “Etika e Policisë”, Tiranë, 2004, f. 41;
[3] Kuptohet se pjesëtarët e milicisë, kishin privilegje të shumta pasi mbronin pushtetmbajtësit. Ata kur nuk dënoheshin për shkak të veprimeve të tyre jo ligjore.
[4] Latifi, V., “Taktika Kriminalistike”, Prishtinë, 2001, f. 26;
[5]Yzeiri, B., “Manaxhimi i Policisë”, Tiranë, 2003, f. 15;
[6]Ligori, H., “Manuel i Procedurës Penale për Policinë gjyqësore”, Korçë, 1999, f. 45;
[7]“Deklarata për Policinë”, Rezoluta 690 e KE, 1979;
[8]Kuptohet se në shoqërinë e parë primitive nuk ka pasur ndonjë organizmi të veçantë siç ka sot, por gjithsesi se dikush është dashur edhe në atë kohë të kujdeset për ruajtjen e rendit brenda fisit, pastaj të mbroje fisin nga sulmet e jashtme nga fiset tjera, të organizojnë sulme, të japin rroje etj. Pra këto janë format e para të organizmit të shoqërisë, ku rolin e mbrojtjes e kryenin çdo anëtar i fisit që ishte i aftë të luftojë.
[9]Ejup, S., “E Drejta e Procedurës Penale”, Prishtinë, 2005.
[10] Haziri, F., “E drejta e Policisë”, Prishtinë, 2010, f. 34-35;
[11] Kodi i Hamburabit, (online): www.lawresearchservices.com, shkarkuar më: 18.12.2011;
[12] Kostić, S., “Osnovni kriminalističke operative”, Beograd, 1987, f. 36;
[13]Haziri, F., “E drejta e Policisë”, Prishtinë, 2010, f. 35;
[14] Shishani, F., “Roli i policisë në parandalimin e kriminalitetit”, Prishtinë, 2006, f. 10;
[15]Roy, R., “Policija i društvo”, Sarajevo, 2004, f. 34;
[16]Haziri, F., E drejta e policisë, Prishtinë, 2010, f. 36;
[17]Shishani, F., “Roli i policisë në parandalimin e kriminalitetit”, Prishtinë, 2006, f.10;
[18]Gashi, R.,” Zhvillimi historik i reagimit shoqëror ndaj delikteve të gjakut”, revista e Drejta, Prishtinë, 1997, nr.2, f. 108;
[19]Milosavljevic, B., “Nauka o policiji”, Beograd, 1997, f.85;
[20]vep.cit në fus.17, f.12;
[21]Anglia është i vetmi vend demokratik që demonstratat e qytetarëve gjithmonë i ka shuar me anë të ushtrisë, e jo me anë të policisë. Kjo në periudha të gjata kohore solli që ky organ të mos jetë shumë i urryer nga populli i këtij vendi. Edhe sot Anglia është vendi ku për herë të parë janë paraqitur idetë mbi bashkëpunimin e ngushtë (partneritetin) në mes qytetarëve dhe policisë.
[22]Latifi, V., “Taktika kriminalistike”, Prishtinë, 2001, f. 26;
[23]Sahiti, E., “E drejta e Procedurës Penale”, Prishtinë, 2005, f. 189;
[24] Elezi, I. dhe Vasilika H., “Politika kriminale”, Tiranë, 2006, f. 20;
[25]Kodi Evropian i Etikës Policore, Këshilli i Evropës, 2001, f. 3;
[26]Ibid, kreu IV, Strukturat organizative të policisë.