June 21, 2014 - Admin

LIRIA E BESIMIT NË ARMATËN E REPUBLIKËS SË MAQEDONISË

Mr. Iljasa SALIHU

Muratorët e sigurisë – hyrje

Në shekullin XXI, siguria nuk identifikohet me fuqinë ushtarake, ndërsa përdorimi i forcës më nuk është monopol i shtetit. Sfidat klasike janë zëvendësuar me sfida të ndryshme të cila para së gjithash nuk janë të lidhura për forcën klasike ushtarake dhe atributet e saj . Gjithsesi ushtarët ose armata e një shteti nuk është e vetmja gjë mund të garantojë sigurinë brenda kufijve shtetëror. Garantues të sigurisë janë organizma të shumtë, siç janë: policia, funksionimi si duhet i mekanizmit juridik, shoqatat e forta joqeveri¬tare, ekonomia e fortë, brumosje e lartë morale e të ngjashme, por ushtarët janë ata që paraqiten si mburojë në kohën kur gjendja e përgjithshme e sigurisë del jashtë kontrollit, këta janë ai mjeku i fundit i cili ose kumton për mundësinë e mbetjes gjallë të pacientit ose preras thotë se këtë merreni në shtëpi se minutat i ka të numë¬ruara. Jo rastësisht edhe pas lufte, Kosova ishte e dendur me trupa ushtarake, edhe pse ata kishim mision paqësor, por sërish në rast nevojë dilnin prej petkut paqësor. Kështu ndodhë edhe gjithandej në botë, ku pas rënies së ndonjë regjimi diktatorial ose pas një anarkie shtetërore, NATO me trupat e saj ushtarako-politik, ndërhynë në ato vende përmes veprimtarive të ndryshme, porse garantues i atyre rrjedhave nuk mund të jetë dikush tjetër, pos trupave ushtarake.
Kësisoj siguria e një vendi është kusht që organet tjera të ecin si duhet. Pa siguri në shtet nuk mund të kemi gjallëri, ngase siguria sikur një lokomotivë i prinë rrjedhave përpara .
Megjithëkëtë nuk është aq shumë më rëndësi vërtetimi i teorisë se armata e një shteti është njëra prej segmenteve të rëndësishme që garanton sigurinë e një shteti dhe çdo ngadhënjim edhe ai armatës dëshmon se sa e rëndë është kriza ose lufta që ka pllakosur një vend a shtet të caktuar. Në këtë rast, kërshëria jonë pyet për brumosjen e ushtarakëve moralisht, sepse një çartje e ushtarit është shumë më e dëmshme se sulmi terrorist i papritur. Për ta kuptuar më drejtë masën e veshjes së ushtarakëve më moral, duhet të kundrojmë në atë organizëm madhor çështjen e funksionimit të fesë, sepse nuk mund të të brumosë dikush ose diçka tjetër me moral pos fesë, mbase nuk duhet harruar se morali është gjysma e fesë, në mungesë të ndonjërës pra je gjysmë gjë. Në nëntitujt në vijim do të shtjellojmë besimin fetar, në këtë rast besimin islam, praninë e këtij besimi ndër ushtarët, si dhe lejimin dhe privimin ligjor për një gjë të tillë!

Të kuptuarit e besimit si nocion fetar islam

Si mund t’i jepet kuptimi i drejtë shpjegimit të lirisë së besimit, duke kërcyer mbi rreshtat që e sqarojnë njëmend kuptimin e besimit? Domethënia e besimit fillon të venitet, atëherë kur këtë nocion e shpjegojnë ata që praktikisht janë kundër kuptimit thelbë-sor të tij, ngjashëm sikur ekuacionet matematikore t’i shpjegojë një biolog i rryer, i cili për shkak se aq shumë e kishte urryer lëndën e matematikës ia kishte mësyrë me përkushtim të ngjeshur lëndëve që kishin lidhje me biologjinë. Në vetvete njeriu edhe në kohërat më të egra që grisnin çdo gjë që përkonte me besimin në Zot, ishte i lirë të besojë, ngase besimi nëse nuk mbërrin të jetësohet në jetën e përditshme është besim i paqenë dhe i padëshmuar. Dijetarët islamë për besimin u shprehën: Të besosh në Zotin Një dhe ta njësosh në adhurim vetëm Zotin, të pohosh me gojë, ta vërtetosh me zemër dhe të veprosh me gjymtyrë, duke dëshmuar kështu rrugëtimin e njohjes së gjashtë kushteve të imanit. Ky është kuptimi i plotë dhe natyral e domethënies së besimit dhe lirisë së besimit.

Edhe në kasollen e Maqedonisë shekullare ka vend për shfaqjen e besimit fetar

Meqë jetojmë në shtete shekullare ku ligji rrjedhë dhe komentohet prej kasolles shekullare, në vijim do të përpiqemi të shpjegojmë se çështja e jetësimit të lirisë së besimit ka vend edhe në vende të këtilla.
Ndërmjet bjeshkës së të drejtave dhe lirive themelore të njeriut që kushtetuta e Republikës së Maqedonisë i ka garantuar, janë edhe liria e besimit dhe shprehja e lirë dhe publikisht e fesë, individualisht ose në bashkësi me të tjerët . Kjo e drejtë dhe liri nuk mund të kufizohet me ligj, pavarësisht rrethanave ku gjendemi, madje një liri e tillë është e lejuar edhe gjatë kohës së gjendjes së luftës.
Edhe e drejta ndërkombëtare për të drejtat e njeriut garanton që secili ka të drejtën e lirisë së mendimit, të ndërgjegjes dhe të fesë . Gjithashtu, është e garantuar që secili është i lirë për të pasur dhe jetësuar në gjirin e tij një fe ose një besim sipas zgjedhjes vetjake, si dhe lirinë për të manifestuar fenë apo besimin e vet, qoftë indi¬vidualisht apo së bashku me te tjerët, si publikisht ashtu edhe priva¬tisht, nëpërmjet kultit dhe kryerjes së riteve, praktikave dhe arsimit .
Gjithë hierarkia ushtarake janë pjesë e këtij rendi kushtetues dhe njerëz që kanë nevojë të besojnë dhe ta jetësojnë fenë si vlerë universale në përditshmërinë e tyre, ndaj edhe armata e një shteti të caktuar duhet ta merr parasysh këtë fakt të pakontestueshëm. Mbase vlerësoj të nevojshme ta përmendi këtu edhe një përvojë timen. Katër muaj e gjysmë sa isha në Kanada, kisha një imam që ishte edhe kolonel kanadez me gradë, pas të cilit çdo të premte u lidhja për ta falur namazin e xhumasë, edhe atë, ai këtë ritual kryente duke qenë me uniformë ushtarake. Dihet se shteti i Kanadasë është anëtare e plotë e NATO-s dhe në atë vend unë me kënaqësi kryeja obligimet fetare që natyrshëm i përkasin secilit besimtar. Ndërsa edhe pse pretendente për në këtë familje, ende në Armatën e Republikës së Maqedonisë nuk shihet ndonjë xixë shprese për krijimin e kushteve të shprehjes së lirë të fesë (jo vetëm lirinë e besimit të pashprehur, ngase edhe në komunizëm kjo liri ishte e paprekur, ngase nuk shihej prej njerëzve), si në kohë paqeje ashtu dhe në kohë lufte, ndoshta kjo si mbetje e rrjedhave të dikurshme të qëndrimit të shtetit ndaj kishës gjatë periudhës së socializmit. Thënia se institucioni fetar është i ndarë nga shteti , nuk duhet të jetë një pengesë ligjore për realizi¬min e të drejtës kushtetuese të shprehjes së lirë të fesë, që nënkupton se nuk duhet të pengohet në çfarëdo qoftë rrethana.

Ndarja e shtetit prej institucionit fetar nuk duhet kuptuar si flakje e besimit fetar te ushtarakët si qenie njerëzore

Ndarja e kishës dhe e xhamisë prej shtetit mund të kuptohet si një ndalim i propagandës politike apo tentimit të institucionit fetar për pjesëmarrje ose marrjen e pushtetit politik, por jo edhe ta injorojë gjendjen e të drejtave dhe lirive themelore në lidhje me ndjenjat fetare dhe nevojat e qytetarëve. Ndarja e institucionit fetar nga shtetit nuk nënkupton edhe shekullarizim institucional të shoqërisë, sepse nëse shteti është me rregullim kushtetues shekullar, kështu nuk është edhe shoqëria. Në këto rrethana, shteti duhet t’i përmba¬het parimit se nuk duhet të imponojë shprehje të besimit ndaj anëtarëve individualë të ushtrisë, por kjo nuk nënkupton se duhet t’i shmanget sigurimit të kushteve të nevojshme për shprehjen e lirë të fesë, si në kohë paqeje ashtu dhe në kohë lufte. Nëse shteti është i ndarë prej fesë, me këtë nuk nënkuptohet edhe shpallje luftë atyre që duan ta përvijojnë besimin e tyre ndaj Krijuesit të botëve, sepse përmes kësaj do të kishim ndërhyrje në çështjen më të ndjeshme në jetë, siç është ajo e të besuarit dhe të vepruarit në përputhje të plot me udhëzimet e Zotit.
Mbase sipas të drejtës ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, shteti është i obliguar që edhe gjatë konfliktit të armatosur të sigurojë shprehjen e lirë të fesë, madje edhe të burgosurve apo penjve të luftës. Prandaj është e palogjikshme dhe fare e paarsyeshme që shteti të mos ju sigurojë të njëjtën liri ushtarëve të tij, edhe më keq, nëse i pengon ata prej një të drejte të tillë themelore. Kësisoj, ndër vlerat themelore të rendit kushtetues të Republikës së Maqedonisë përfshihen edhe këto të drejta: liritë dhe të drejtat themelore të njeriut dhe të qytetarit, të njohura me të drejtën ndërkombëtare dhe të përcaktuara me Kushtetutë .

Brumosja shpirtërore, një nevojë e menjëhershme e ushtarakëve – përfundim

Nuk është e lehtë të jesh pjesë e piramidës ushtarake. Vetë detyrimi ligjor për të mbajtur armë flet shumë. Mbase si ushtarak edhe kur gjendesh në ndonjë mision paqeruajtës, në fakt, paqen duhet ruajtur edhe me tytën e pushkës, gjë që zbeh kuptimin e fjalës “paqeruajtës”! Gjithsesi, kjo është natyrshmëria e ushtarakut. Të përballet me laramani ngjarjesh, që po i shikove edhe nga ekrani i televizorit të rrëqethin. Lufta për ushtarakun është më afër se veshja e sportit, kështu do të shprehej populli. Në luftë kemi të shtëna që mund ta pëlcasin timpanin e veshit, vrasje, plagosje, sakatim, uri, etje e trauma të ndryshme. Ndaj për t’i bërë ballë këtyre sfilitjeve është e nevojshme që përpos armatosjes me armë të ushtarakëve, duhet, mbase është e patjetërsueshme, edhe brumosja shpirtërore, madje kjo është arma më e fortë, qoftë në paqe a në luftë që mund ta ketë një ushtarak i caktuar. Përmes shekullarizimit dhe keqinterpretimit të këtij koncepti, ushtaraku ka gjasa të shkojë drejt robotizimit të tij, robot ky që nesër mund të bëjë kërdi dhe pastaj të vlerësohet si njëri i çmendur. Mbase nuk është vetëm kjo lemeri. Rrjedhat morale ndërmjet meshkujve dhe femrave në ushtri i përkasin rrafshit shumë të ndjeshëm. Përmes lejimit të fesë edhe në ushtri, të paktën kjo harlisje e mundshme mund të zvogëlohet me pandehje të zhdukjes.
Jo vetëm ligjet vendore e ndërkombëtare që e lejojnë jetësimin e besimit fetar në piramidën ushtarake, atë edhe logjika e shëndoshë e vërteton. Nëse ende kemi asi lloj dallkaukësh që me çdo kusht duan t’i anatemojnë njerëzit prej shprehjes dhe shfaqjes së besimit fetar, atëherë lëre që kemi paraqitje të thyerjeve të të drejtave kushtetuese dhe të atyre ndërkombëtare kundrejt kësaj qenie njerëzore, porse shfaqet edhe një dëshirë për mbytje të shpirtërores, një pandehje për trajtësimin e ushtarit në robot i cili, thënë kushtimisht, mund të shtie me armë edhe në prindërit e tij, po iu kumtua prej kulmit të pirami¬dës një urdhër i tillë. Përmes kësaj brumosje ushtaraku do të jetë vetja, do ta dëshmonte në përditshmëri, se vërtetë trupi i tij bartë me vete kokën e tij dhe jo e kundërta.

(Autori është ekonomist dhe magjistër i shkencave të sigurisë)

Mr. Iljasa Salihu / Shqip