June 21, 2014 - Admin
ASPEKTI SOCIOLOGJIKO-POLITIK I SHPALLJES SË PAVARËSISË SË SHQIPËRISË DHE ROLI I KUVENDIT TË KARADAKUT TË KUMANOVËS NË ZGJIDHJEN E ÇËSHTJES SHQIPTARE
Prof. dr. Metush SULEJMANI
Abstract
The year 1912 is emblematic and a year with a historic importance for the Albanians for that fact that in this year the Albanians declared the independence of their state in the Balkans. Without a doubt this independence was only partial because over half of Albanian populated areas were left outside this new state, under the administration of neighboring countries. However, this independence played a great role because there was a new Albanian state in the Balkan peninsula which will be able to then speak up for the other territories populated with Albanians. This independence allowed for slowing down or completely stopping the further occupation and stealing of other Albanian lands, especially by the neighboring countries. The declaration of independence of Albania was catalyzed by a number of factors, including:
1. The unification of patriotic activities of Albanians in all four vilayets,
2. The rational education and illuminist activities during the Albanian renaissance, as well as
3. The patriotic activities and the role of the assembly of Kumanovo Karadak of the time.
All this factors jointly helped the declaration of independence, hence giving the population an opportunity and a new way of reasoning about social processes, prompting nationalist approach of the Albanian population, a motivation to fight for freedom and get rid of the occupiers based on the principle of self-determination and a mobilization of the population to defend the homeland, including in an armed way.
Key words: independence, state, self-determination, national assembly Karadak Renaissance
Siç dihet viti 2012 është vit jubilar dhe me një rëndësi të veçantë për të gjithë shqiptarët nga shkaku se këtë vit festohet njëqindvjetori i shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë
Shpallja e pavarësisë së Shqipërisë në vitin 1912 kishte një rëndësi të veçantë historike dhe kombëtare për mbarë hapësirën etnike shqiptare. Shpallja e pavarësisë dhe krijimi i shtetit shqiptarë me 28 nëntor të vitit 1912 ishte një akt shumë i madh jetik për tërë popullin shqiptarë i cili jetonte në katër vilajetet e njohura shqiptare siç ishin Vilajeti i Janinës, i Manastirit, i Shkodrës dhe ai Kosovës. Vizionariteti i krerëve politik dhe intelektual shqiptarë për shpalljen e kësaj pavarësie ndërlidhet me dy qëllime madhore kombëtare:
1. Qëllimi i parë ishte çlirimi i Shqipërisë nga Perandoria Otomane pesë shekullore dhe pavarësimi i sajë
2. Qëllimi i dytë që ishte ndoshta edhe më madhor dhe më strategjik në aspektin kombëtarë mbi shpalljen e pavarësisë ndërlidhet, me ndërprerjen dhe pengimin e mëtutjeshme të gllabërimit të territoreve etnike shqiptare nga fqinjët tanë:Greqia, Serbia dhe Mali i Zi të cilët donin ta zhduknin Shqipërinë nga harta botërore.
Udhëheqësit shqiptarë qofshin të elitës intelektuale shkencore apo të asaj politike ishin të vetëdijshëm se Perandoria Otomane ishte gati duke i numëruar ditët e fundit dhe ajo ishte duke u dekompozuar. Në këto kushte vendimtare historike rreziku më i madh që i kanosej Shqipërisë ishte realizimi i projekteve famëkeqe antishqiptare të fqinjëve të sajë mbi zaptimin e territoreve shqiptare. Kjo vërtetohet me faktin se derisa krerët shqiptarë përgatiteshin për shpalljen e pavarësisë ushtria okupatore greke, serbe dhe malazeze veç kishin hyrë në Shqipëri. Projektet mbi ndarjen e Shqipërisë veçanërisht nga fqinjët ishin përgatitur para Kongresit të Berlinit të vitit 1878. Duke i marrë parasysh kushtet dhe rrethanat historike, politike e ushtarake të kësaj periudhe historike dihet fare mirë se fuqitë më të mëdha botërore ishin në anën e politikës pansllaviste ku me ndihmën e Rusisë mbroheshin interesat e popujve sllavë kurse çështja shqiptarë ishte lënë në mëshirën e fatit. Politika pansllaviste mundohej të gllabëronte territore shqiptare me anë të metodës së tokës së djegur, politikë kjo e cila ishte përdorur për dëbimin masiv dhe djegien e vendbanimeve shqiptare në Sanxhakun e Nishit e më gjerë para dhe pas vitit 1878. Shpallja e pavarësisë së Shqipërisë ishte rezultat i luftërave shekullore sublime, heroike të drejta dhe mbrojtëse e çlirimtare të popullit shqiptarë kundër të gjithë okupatorëve. Shpallja e pavarësisë është një datë e madhe historike dhe emblematike për gjithë popullin shqiptarë sepse bëri kthesë historike dhe u realizua një premisë themelore politike për marrjen parasysh vullnetin e përgjithshëm të popullit shqiptarë për themelimin e shtetit të tyre kombëtarë në shek.19. Shpallja e pavarësisë dhe themelimi i shtetit shqiptarë nxorën në shesh edhe një premisë juridiko-politike dhe filozofiko-sociologjike mbi të drejtën e tyre për vetëvendosje deri në shkëputje që e fituan dhe realizuan me luftë heroike. Mohimi i së drejtës për vetëvendosje shpeshherë ka përfunduar me luftëra të përgjakshme mes popujve siç ishte rasti i çështjes shqiptare në Ballkan. Kjo çështje iu mohua edhe shqiptarëve dhe atë si rezultat i etiketimit të tyre nga ana e fqinjëve të tyre serb, malazez dhe grek të ndihmuar nga aleati i tyre tradicional rus. Këta përfaqësues të popullit sllav duke menduar në realizimin e projekteve antishqiptare dhe shfarosjen e tyre nga faqja e dheut dhe uzurpimin e territoreve shqiptare mendonin që sa herë që do të kontaktonin me krerët e Perandorisë osmane do të duhej që ti përsëritnin të njëjtat etiketime, stereotipa dhe ankesa ndaj shqiptarë si njerëz “të egër”, “pa kulturë”, “hajdut” etj, që nuk meritojnë të pavarësohen dhe të kenë shtetin e tyre nacional. Përpjekjet e vazhdueshme të shqiptarëve për pavarësi kishin një arsyetim dhe argumentim shumë të fuqishëm sepse lufta e tyre ishte e drejtë, çlirimtare dhe jo pushtuese ndaj fqinjëve. E gjithë kjo flet shumë dhe ka domethënie të fuqishme argumentuese sepse shqiptarët me shekuj kishin luftuar në vetëmbrojtje për ta ruajtur qenien e tyre etnike-kombëtare nga pushtuesit e huaj. Udhëheqësit politik, ushtarak dhe intelektual të cilët punonin drejt zgjidhjes së kauzës shqiptare ishin të përgatitur profesionalisht dhe moralisht për zgjidhjen e këtij problemi por ishin të vetëdijshëm edhe për sfidat dhe problemet me të cilat do të përballen. Shqiptarët përkundër sfidave dhe problemeve që i kishin me pushtuesit e huaj, ata megjithatë e kishin profilizuar shtetin e tyre modern në kuptimin konceptual, ideor dhe juridiko-normativ.
Kushtet dhe rrethanat historike në të cilat u themelua shteti shqiptarë
Kushtet dhe rrethanat në të cilat u shpallë pavarësia dhe u themelua shteti shqiptarë nuk ishin në favor të plotësimit të kërkesave të shqiptarëve për mëvetësimin e tyre edhe pse shteti shqiptarë i kishte të gjitha elementet që e bëjnë subjekt të së drejtës ndërkombëtare si p.sh: 1. popullsia e përhershme, 2. territori i caktuar, 3. qeveria, 4. gjuha si element kulturor dhe 5. aftësia për të hyrë në marrëdhënie me shtete tjera. [1]Edhe pse në këtë kohë bëheshin përpjekjet e vazhdueshme për themelimin e shtetit nacional-sepse shekulli 19 ishte shekull i themelimeve të shteteve kombëtare, Shqipëria megjithatë kishte probleme dhe ballafaqohej me sfida të natyrave të ndryshme. Kjo periudhë historike karakterizohej me procese të llojllojshme politike dhe dinamizimin e kahjen e tyre e përcaktonin shtetet e fuqishme së bashku me aleatët e tyre ku e drejta nuk kishte fuqi por fuqia politike ishte forcë. Në këtë kontekst popujt e vegjël siç ishte edhe Shqipëria që ishte në drejtim të qenësimit politik dhe formimit të shtetit të tyre nuk i gëzonin të drejtat dhe privilegjet e shteteve dhe popujve të mëdha. Në këtë kontekst Shqipëria në krahasim me shtetet antishqiptare kishte më pak aleatë mbështetës prandaj edhe e drejta natyrore e saj për vetëpërcaktim injorohej vazhdimisht nga të tjerët. Pra ishte koha e një anarkie politike në kontekst të së drejtës ndërkombëtare sepse fuqitë e mëdha shteteve fqinje të Shqipërisë iu kishin lënë duart e lira për marrjen e territoreve shqiptare. P.sh; Serbia duke i realizuar projektet pansllaviste para dhe pas Kongresit të Berlinit kishte zaptuar një pjesë bukur të madhe të territorit shqiptarë në sanxhakun e Nishit. Me mjete e forma organizative dhe administrative nga më të vrazhdat të ushtrisë serbe që në vitet 70 të shekullit 19 u bë spastrimi etnik i shqiptarëve nga 545 fshatra të tokave të pushtuara, që edhe sot i përkasin së ashtuquajturës Serbi Jugore. Atëherë edhe më vonë u shpërngulën me qindra mijëra shqiptarë nga tokat dhe vendbanimet e veta dhe u vendosën kush në Kosovë , kush në Shqipëri, e kush në Turqi dhe në vende tjera të Orientit.[2] Me të njëjtën metodë dëshironin të zgjeroheshin drejtë pjesës jugore ku qëllimi kryesor i sajë ishte dalja në det përmes pushtimit të territoreve të Shqipërisë. Të njëjtin qëllim e kishte edhe Mali i Zi të cilit fuqitë e mëdha i dhanë një pjesë të territorit shqiptarë. Të njëjtat ambicie i kishte edhe fqinji jugor Greqia e cila duke i injoruar të drejtat e shqiptarëve dhe Çamërisë në Greqi, mundoj të zaptoj territore të reja shqiptare. Me fjalë tjera politika gjenociodale e pansllavizmit veçanërisht të serbëve dhe malazezëve realizohej përmes disa elaborateve dhe programeve serbe siç ishin:
1. Naçertania -1844 i hartuar nga Ilia Garashanini që kishte përmbajtje hegjemoniste serbomadhe dhe të gjitha reprezaljet gjenocidale ndaj shqiptarëve para dhe pas Kongresit të Berlinin ishin bazuar në këtë projekt. Ky projekt qëllim kryesor kishte mohimin e identitetit të popullit shqiptarë.[3] Mirëpo kjo nuk do të thotë që gjenocidi sllav ndaj shqiptarëve kishte filluar pikërisht me këtë projekt sepse shpërnguljet, reprezaljet dhe dëbimet e shqiptarëve në formën gjenocidiale kishin filluar edhe më herët që nga viti 1800 duke përfshirë kryengritjen e parë dhe të dytë serbe por duke mos i dhënë aqë shumë pompozitet.
2. Projekti i dytë gjithashtu me përmbajtje gjenocidiale ndaj shqiptarëve ishte Elaborati i klubit kulturor Serb-1939 i hartuar nga historiani Vasa Çubriloviq çka do të thotë që politika gjenocidiale sllave-serbe ka kontinuitet dhe me të njëjtat qëllime por ndryshojnë format e tyre. Akademik Vasa Çubriloviq në projektin e tij “Shpërngulja e arnautëve”-(1938) potencon faktin se nuk do të ngurojnë të përdorin çdo mjet për shpërnguljen e shqiptarëve në Turqi dhe në Shqipëri ose asimilimin e tyre si forma më efikase e zgjidhjes së këtij problemi. Ai në referatin e tij me përmbajtje shoviniste flet për metodologjinë e shpërnguljes së shqiptarëve që do të menaxhohet nga këshilli apo inspektorati shtetëror për kolonizim i cili do të propozohet nga ministri i mbrojtjes, shefit të shtatmadhorisë dhe kryetarit të qeverisë. Ky proces do të kalonte nëpër dy faza: faza parë do të zhvillohet në mënyrë evolutive dhe pa dhunë ku në shërbim do të aktivizoheshin propagatorë të ndryshëm e veçanërisht klerikët fetarë të cilët e kishin për detyrë të mbanin fjalime romantike mbi atdheun e ri të shqiptarëve dhe kushtet ideale për jetën e tyre në Turqi. Faza e dytë karakterizohet me përdorimin e dhunës do të vazhdonte eventualisht nëse faza e parë nuk do të kishte sukses. Përmbajtja metodologjike e kësaj faze do të përqendrohet në pikat më neuralgjike të shqiptarëve siç janë morali dhe nderi, feja, rrethojat e shtëpive, pastaj duna dhe plaçkitja sistematike shtetërore, tatimet e shumë forma tjera. Kjo formë është zbatuar veçanërisht në shpërnguljen e shqiptarëve nga Sanxhaku i Nishit e cila kishte pasur sukses të cilën e potencon edhe ideatori i këtij projekti. Kjo mënyrë e shpërnguljes së shqiptarëve është marrë si model për hapat e ardhshëm të shpërnguljeve veçanërisht ndaj shqiptarëve duke përfshi edhe periudhën pas Luftës së Dytë Botërore dhe periudhën pas shpërbërjes së Jugosllavisë.
3. Elaborati i Ivo Andriqit -1939 i cili po ashtu ishte një program për shpërnguljen dhe shfarosjen e shqiptarëve nga trojet e tyre etnike. Akademiku Ivo Andriq mendonte se zgjidhja definitive e çështjes së Kosovës do të bazohej në ndarjen e Shqipërisë në dy pjesë, njërën pjesë duhej ta pushtonte Italia kurse pjesën tjetër Jugosllavia.
4. Elaborati i dytë i Vasa Çubriloviqit-1944 i cili emërtohej “Problemi i minoriteteve në Jugosllavinë e re” me anë të së cilit kërkohej shfarosja definitive e shqiptarëve dhe kolonizimi i atyre tokave me kolonë serbë dhe malazezë të trevave të ndryshme të Jugosllavisë.
5. Memorandumi i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Serbisë -1986 i cili ishte një program politik ku si pjesë e këtij memorandumi ishte edhe Instituti i historisë bashkëkohore të Beogradit të cilat ndikuan në nxitjen e urrejtjes, paragjykimeve dhe stereotipave negative etnike ndaj shqiptareve duke ia ndryshuar edhe etnogjenezën e tyre për qëllime politike. Këto qëndrime nacionaliste dhe shoviniste serbe më vonë do të shërbejnë si pretekst për nxitjen e trazirave në Kosovë të cilat rezultuan me suprimimin e autonomisë dhe luftën e fundit në Kosovë.
Përmbajtja dhe qëllimi i të gjitha këtyre projekteve ishte dëbimi dhe shpërngulja definitive e shqiptarëve nga trojet e veta etnike dhe kolonizimi i këtyre trojeve me popullsi sllave.
Me plotë të drejtë dhe përgjegjësi kombëtare mundë të thuhet se pjesët jashtë Shqipërisë janë entitete historike, nacionale dhe socio-politike të mbetura padrejtësisht jashtë hapësirës etnike shqiptare. Hapësira etnike shqiptare në Ballkan… është një tërësi kompakte me shtetin shqiptar, të cilin e ndan “vetëm vija e kufirit artificial”, e vendosur padrejtësisht, vijë kjo që edhe “vetë popullin shqiptare ndanë në dy pjesë”[4]. E gjithë kjo argumentohet me depërtimin e ushtrive të këtyre vendeve në brendinë e thellë të territorit të Shqipërisë. S’do mend se shpallja e pavarësisë dhe themelimi i shtetit shqiptar i demantoi të gjitha paragjykimet dhe stereotipat e fqinjëve se shqiptarët nuk janë të aftë të krijojnë shtet dhe ta mbajnë atë. Sipas gjyqit gjermano-polak të Arbitrazhit shteti ekziston po qe se posedon territorin, një popullsi që banon në të dhe një pushtet politik i cili ushtrohet mbi atë popullsi dhe atë territor.[5] Në botën bashkëkohore rëndësi të madhe për formimin e shteteve ka parimi i të drejtës për vetëvendosje të popujve. Edhe pse ky parim daton që nga Revolucioni Borgjez Francez dhe më vonë mohohet nga aleanca e shenjtë dhe shtetet e “koncertit evropian”, kjo nuk do të thotë se ky parim ishte i panjohur edhe para luftërave ballkanike dhe në shtetin shqiptar, mirëpo ky parim tani është i formuluar mirë në aspektin juridiko-politik dhe sociologjik ku shprehet vullneti i përgjithshëm i popujve. Përmes parimit të vetëvendosjes synohej të çlirohet vendi dhe të ruhet kombi shqiptarë sepse përmes zgjidhjes së çështjes kombëtare dhe ruajtjes së kombit në njëfarë mënyre do të dinamizohet procesi global i ekzistencës së etnikumit dhe shoqërisë shqiptarë dhe realizimit të komponentës ekonomike, politike, sociale dhe kulturore të shtetit.
Çështja shqiptare dhe e drejtae parimit të vetëvendosjes
E drejta për vetëvendosje e popullit shqiptarë është elementi më kryesor për argumentimin e pavarësisë dhe formimin e shtetit shqiptarë.
Esenca e parimit të vetëvendosjes përbëhej nga shumë premisa dhe komponente të cilat mundësuan realizimin e këtij parimi. Pavarësia e Shqipërisë që u realizua në bazë të parimit të vetëvendosjes u bazua në disa premisa:
1. Premisa e parë ishte ajo filozofiko-sociologjike e cila bazohej në konceptin e lirisë si në aspektin individual ashtu edhe kolektiv. Kjo premisë bazohej në kërkesën dhe dëshirën e popullit shqiptarë që vetë populli, duke u bazuar në vullnetin e tij të përgjithshëm, ta përcaktoj kahjen e zhvillimit të jetës së tyre, ta përcaktoj ardhmërinë e tyre duke u bazuar në konceptin e vetëiniciativës, vetërealizimit dhe vetëvendosjes. Kjo premisë padyshim që kërkonte fuqi dhe nivel të lartë të vetëdijësimit kombëtarë të popullit shqiptarë i cili si subjekt i realizimit të kërkesave të kolektivitetit nacional u angazhua për projektimin dhe ndërmarrjen e veprimeve dhe aksioneve të caktuara për realizimin e këtyre qëllimeve. Pa hamendje mundë të thuhet që kjo premisë filozofiko-sociologjike që bazohet në konceptin e lirisë u realizua jo vetëm nga puna e palodhshme e intelektualëve dhe patriotëve të Shqipërisë por edhe nga veprimtaria e shqiptarëve të trevave tjera jashtë Shqipërisë siç ishin veprimtaria e shqiptarëve të Vilajetit të Kosovës ku bënte pjesë edhe veprimtaria patriotike e Kuvendit të Karadakut të Kumanovës. Kjo premisë e vetëvendosjes vlen për të gjithë popujt e robëruar të cilët dëshirojnë të pavarësohen. Kjo premisë ishte pjesë përbërëse e vetëdijes kolektive të shqiptarëve të cilët kishin bërë përpjekje shekullore për tu çliruar nga regjimet pushtuese të të huajve. Filozofi dhe poeti gjerman Hederlini thoshte se ne nuk jemi asgjë por kërkesat tona janë mbi të gjitha. Prandaj kërkesat e vazhdueshme të shqiptarëve për çlirim ishin pjesë e një vetëdijesimi politik i cili tregon që shqiptarët si kolektivitet nacional tani kishin kaluar nga qenia në vete në qenie për vete dhe kishin arritur një shkallë të emancipimit politik dhe kulturor. Në këtë drejtim rol kyç kishin luajtur rilindësit kombëtarë në cilësinë e iluministëve shqiptarë të cilët te populli e kishin ngritur vetëdijen politike se kishte ardhur koha që ti takojmë vetvetes dhe të punohet për vetveten.
2. Përmbajtja e dytë e cila është më e ngushtë e konceptit të vetëvendosjes shprehet në të drejtën e vetëvendosjes. Me anë të lëvizjes nacionale dhe luftës çlirimtare populli shqiptarë e realizoi të drejtën për vetëvendosje gjegjësisht shtetësinë apo sovranitetin politik të kolektivitetit nacional. E drejta e vetëvendosjes në rastin konkret te populli shqiptar paraqitet si mundësi e përcaktimit të formës së shtetësisë. E drejta e vetëvendosjes te populli shqiptar përveç që ishte e drejtë natyrore që bazohet në vlerat etike dhe demokratike, ajo ishte edhe një bazë e fortë e parimit të së drejtës pozitive ndërkombëtare. Pra vetëvendosja ishte shkalla më e lartë e emancipimit politik e popullit shqiptarë e cila erdhi si shprehje e vullnetit kolektiv të tij për një ardhmëri më të mirë shoqëroro-politike e cila u bazua në parimet universale të të drejtave dhe lirive elementare të popujve.
3. Elementi tjetër i parimit të vetëvendosjes është e drejta për shkëputje dhe bashkëngjitje me të tjerët. E drejta e vetëvendosjes për shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë përfshinë përveç shkëputjes edhe të drejtën e unifikimit me pjesën tjetër të hapësirës dhe trupit etnik. Ky parim ka qenë i hapur dhe aktual që nga shpallja e pavarësisë e deri sot. Kjo premisë ka të bëjë me faktin se shpallja e pavarësisë së Shqipërisë nuk i përfshinte të gjitha territoret etnike shqiptare dhe se jashtë këtyre territoreve kishte mbetur gjysma e popullsisë shqiptare. Meqë kushtet dhe rrethanat historike dhe politike nuk ishin në favor të zgjidhjes së çështjes shqiptare, krerët politik, intelektual dhe ushtarak ishin pajtuar me këtë formë të pavarësisë por duke e lënë të hapur këtë çështje që më vonë të bëhet unifikimi dhe ribashkimi i trojeve etnike shqiptare Tani në qarqet akademike shkencore dhe politike me të madhe flitet për këtë problem dhe jepen ide të llojllojshme për bashkimin e trojeve etnike shqiptare sepse pa zgjidhjen definitive të çështjes shqiptare nuk mundë të ketë siguri, stabilitet dhe mirëqenie politike në Ballkan dhe Evropë. Në lidhje me këtë, edhe Akademik Esat Stavileci prononcohet në këtë mënyrë: “Pavarësia e shqiptarëve në trojet e veta etnike dhe bashkimi i tyre si synim i fundit do të duhej të trajtoheshin si një element i domosdoshëm i ekuilibrit të ri politik në Ballkan.[6]Këto ide plasohen jo vetëm nga shqiptarët por edhe nga shumë shkencëtarë ndërkombëtarë duke u bazuar në padrejtësitë historike që iu bënë shqiptarëve në ruajtjen e sovranitetit dhe integritetit territorial shqiptarë që njihet si Shqipëri etnike natyrale.
Roli i Rilindjes Kombëtare në krijimin e vetëdijes kombëtare dhe opinionit politik
Roli i Rilindjes Kombëtare në krijimin e vetëdijes kombëtare dhe opinionit politik te popullata shqiptare ishte i pazëvendësueshëm sepse liria dhe pavarësia e popullit shqiptarë të ndarë kërkonin një socializim politik tjetërfare, një mënyrë tjetër të të menduarit dhe formim të një opinioni tjetër publik. Këto performansa do të ishin pjesë të pandashme të proceseve politike në tërë hapësirën etnike shqiptare dhe më gjerë. S’do mend se bazën ideore, ideologjike dhe kulturore-politike të kësaj mënyre të re të të menduarit ia dha Rilindja Kombëtare shqiptare e cila përmes ideologëve të vet krijoi vlera të atilla kulturore të cilat në vazhdimësi kishin ndikuar në ngritjen e vetëdijes politike kombëtare vetëdije e cila më vonë do t’i dinamizojë proceset politike interne –brenda Shqipërisë dhe eksterne jashtë Shqipërisë të cilat do të rezultojnë me shpalljen e pavarësisë dhe krijimin e shtetit të pavarur shqiptar. Vlerat iluministe të Rilindjes sonë Kombëtare u vunë në shërbim të çlirimit të popullit shqiptarë nga të huajt si një nga premisat më të rëndësishme të realizimit të çështjes kombëtare shqiptare. Kjo premisë do të realizohet dhe jetësohet vetëm me arsimimin dhe edukimin efektiv të popullsisë shqiptare e cila do të ndikojë në formimin e një botëkuptimi të ri i mbështetur në arsye për definimin dhe interpretimin e fenomeneve shoqërore duke pasur parasysh shoqërinë shqiptare me të gjitha elementet historike, politike, ekonomike, sociale, kulturore etj. Ky botëkuptim i ri do të jetë pjesë përbërëse e aspiratave dhe dëshirave të shqiptarëve për një shoqëri të re e cila do të ishte pjesë edhe e vlerave evropiane. Shkrimet e rilindësve për gjendjen ekonomike, shoqërore dhe politike të Shqipërisë, për luftën e popullit për çlirim nga zgjedha osmane, për kulturën kombëtare racionaliste, për gjuhën, për lirinë e përdorimit të saj, dhe për atë të shkollës, për njësimin e alfabetit, për bashkimin e shqiptarëve të kohës pa dallim feje, krahine dhe shtrese, për autonominë dhe çlirimin e plotë të vendit, për demaskimin e propagandës antikombëtare dhe të ideologjisë klerikale, shprehin jo vetëm pjekurinë intelektuale, mendore dhe kombëtare pa paragjykime të autorëve të tyre, por ato i radhisin njëherit edhe në mesin e përfaqësuesve të një qëndrimi të ri ideologjik që i ngjason atij të shekullit filozofik dhe të progresit.[7]
Ideja kryesore që bashkonte intelektualët patriot shqiptarë të kësaj periudhe historike ishte qëndrimi i tyre atdhedashës dhe çlirimdashës ndaj realitetit të ri kombëtar. Ideja bazë e pikëpamjeve iluministe të Rilindjes Kombëtare ishte çlirimi kombëtar dhe vënia e një baze të fuqishme të shtetit të ardhshëm shqiptar. Këta intelektualë të denjë ishin të vetëdijshëm se pa një gjuhë të shkruar letrare dhe kombëtare kombi nuk mund të çlirohet dhe të përparohet sikur shtetet e përparuara evropiane.
Lëvizjet e ndryshme shoqëroro-politike që janë pjesë e kohës dhe hapësirës së caktuar të një periudhe të caktuar historike, kërkojnë një bazament dhe mbështetje të fuqishme ideore, ideologjike dhe edukativo-arsimore të cilat përfundojnë me një socializim politik i cili është i rëndësishëm për proceset politike të shtetit. S’do mend se këto vlera ishin pjesë përbërëse e Rilindjes Kombëtare Shqiptare e cilat ishin një bazament për zgjimin, ngritjen dhe kultivimin e ndërgjegjes kombëtare si dhe të luftës për pavarësi dhe bashkim kombëtar. Pa dyshim që Rilindja Kombëtare me veprimtarinë e tyre iluministe në popullatën shqiptare kishin ndikuar në ngritjen e elementeve dhe vetëdijes nacionaliste. Kjo vetëdije nacionaliste kishte ndikuar në formimin e qenies kombëtare dhe shtetin e tyre kombëtarë. Në këtë rast koncepti nacionalizëm e ka kuptimin që njësia nacionale dhe politike janë në harmoni.[8]Kjo vetëdije kombëtare te shqiptarët është e një date më të vonshme gjegjësisht ndërlidhet me shek. 19 kur themeloheshin shtetet kombetare periudhë kjo e cila karakterizohet me themelimin e shtetit shqiptarë dhe zgjidhjen e çështjes shqiptare në Ballkan.
Lëvizja kombëtare shqiptare që bënte përpjekje për formimin e kombit shqiptar, shpalljen e pavarësisë dhe formimin e shtetit shqiptarë, kishte kaluar përmes tre fazave kryesore:
1. Faza e parë ndërlidhet me elementin kulturor gjegjësisht me gjuhën letrare ku këtij fenomeni i kushtohej rëndësi e madhe nga ideologët e Rilindjes kombëtare shqiptare. Pra intelektualët shqiptarë ishin të vetëdijshëm që gjuha letrare do të luante një rol tepër të veçantë në arsimimin kombëtare dhe ngritjen e ndërgjegjes kombëtare për çlirimin e Shqipërisë dhe bashkimin e shqiptarëve brenda territorit etnik shqiptar.
2. Faza e dytë ndërlidhet me idenë nacionale dhe propagandimin politik të kësaj ideje që ndërlidhet me proceset shoqëroro-politike të lëvizjes kombëtare shqiptare.
3. Faza e tretë ka të bëj me programin kombëtarë politik të lëvizjes kombëtare shqiptare dhe pranimi masiv i këtij programi nga ana e popullatës me të gjitha shtresat e saj.
Kjo formë e evaluimit dhe zhvillimit të proceseve politike të shqiptarëve ka të bëjë me transformimin e popullit shqiptarë si grup etnik në komb shqiptarë i cili ka të bëj me integrimin e të gjithë qytetarëve brenda një territori të përbashkët duke marrë parasysh gjuhën letrare dhe pushtetin politik brenda shtetit nacional. Sipas Erik Hobsbaun ekzistojnë disa kritere sipas së cilit një popull mundë të klasifikohet si komb-kritere të cilat vazhdojnë edhe për popullin shqiptar. [9]
1. Kriteri i parë ndërlidhej me ekzistimin e lidhjes historike me shtetin ekzistues apo me shtetin që ka ekzistuar gjatë kohë në aspektin historik.
2. Kriteri i dytë ishte ekzistimi i elitës së më hershme kulturore e bazuar në një përmbajtje letrare nacionale
3. Kriteri i tretë ndërlidhet me elementin e entitetit politik dhe social të kombit. Këto koncepte të nacionalizmit dhe kombit shqiptar të bazuara në vlerat e liberalizmit ishin të ngjashme me konceptin e Vilsonit mbi vetëpërcaktimin (vetëvendosjen) nacional koncept i cili më vonë do të përpunohen edhe nga shkencëtarët e mëvonshëm. Është i ditur roli historik i ish-kryetarit amerikan Vudro Vilson për kontributin e tij dhënë në përcaktimin dhe definimin e parimit të vetëvendosjes përmes së cilit i ndihmoi edhe shqiptarët duke thënë se ky parim vlen edhe për popullin shqiptarë për vetëpërcaktim ku njëherit sugjeroi që të ndërpritet aneksimi i territoreve shqiptare. Mirëpo koncepti i vetëpërcaktimit apo vetëvendosjes asnjëherë nuk është përcaktuar drejtë, në mënyrë parimore dhe humane sepse fuqitë e mëdha dhe shumë shtete despotike dhe totalitare këtë parim ia kanë përshtatur interesave të veta politike. Veçanërisht kjo ka vazhduar për ato shtete shumëetnike ku grupi etnik dominues e ka përcaktuar edhe fatin e grupeve tjera minoritare etnike duke u bazuar në elementin etnocentrik dhe mospranimin e vlerave të kulturave të etnikumeve tjera. Por me gjithë përkufizimin e qartë të së drejtës për vetëvendosje në të drejtën ndërkombëtare, në radhë të parë në Kartën e Kombeve të bashkuara, shumë shtete, të drejtën për vetëvendosje, përgjatë historisë, për qëllime koloniale “e rezervuan vetëm për veten e tyre “, duke ua mohuar këtë të drejtë popujve të tjerë dhe duke mbrojtur rajonet e veta koloniale dhe duke ua ndaluar dhe penguar rrugën e shtetësisë dhe të pavarësisë popujve të pushtuar.[10]
Roli historik i Kuvendit të Karadakut të Kumanovës në përshpejtimin e shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë
Shikuar nga këndvështrimi historik, Kuvendi i Karadakut u themelua me 24.07.1912 disa muaj para se të shpallet pavarësia e Shqipërisë. Për themelimin, punën dhe qëllimet e këtij kuvendi në opinion një kohë të gjatë nuk ka pasur informata të mjaftueshme. Këto informata më tepër kanë qenë të karakterit gojor të cilat kanë qarkulluar përmes bisedave me njerëzit më të moshuar, nëpër tubime dhe festa të ndryshme, etj. Kohëve të fundit në lidhje me këtë Kuvend janë zbuluar dokumente të ndryshme historike të cilat e vërtetojnë dhe argumentojnë punën dhe veprimtarinë e këtij kuvendi. Një dokument i tillë është zbuluar nga hulumtuesi i njohur shkencor Prof. dr. Ramiz Abdyli[11], dokument i cili gjendet në arkivat e Beogradit dhe është një bazament mjaftë i fortë për hulumtuesit e rinj për ndriçimin më të detajuar jo vetëm të këtij problemi por edhe të shumë problemeve tjera të cilat ndërlidhen me historinë e luftërave çlirimtare të shqiptarëve në Ballkan. Duke i marrë parasysh kushtet dhe rrethanat në të cilat ndodheshin shqiptarët-reprezaljet, vrasjet masive, përdhunimet, djegiet masive të vendbanimeve shqiptare, shkatërrimin e ekonomive të tyre dhe para së gjithash copëtimin e territorit shqiptar, edhe treva e Karadakut të Kumanovës e kishte parë të arsyeshme mbajtjen e një Kuvendi të këtillë i cili do të kontribuonte në përshpejtimin e pavarësisë së Shqipërisë dhe zgjidhjen e çështjes shqiptare. Themelimi i këtij kuvendi kishte një rëndësi tejet të madhe në aspektin kombëtarë sepse me veprimtarinë e tij dhe vendimet e tija mbarëkombëtare kishte ndikuar në krijimin e rrethanave lehtësuese për përshpejtimin e shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë dhe formimin e shtetit kombëtarë shqiptar. Themelimi dhe puna e këtij kuvendi e argumentojnë faktin që të gjitha katër vilajetit e Shqipërisë ishin në veprim të koordinuar rreth një qëllimi të përbashkët mbarëkombëtarë-pra shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë. S’do mend se në këtë drejtim krerët ushtarak, politik dhe intelektual të trevës së Karadakut që përfshinte hapësirën gjeografike mes Kumanovës, Shkupit dhe Luginës së Preshevës të cilët kishin një lidhje organike me Vilajetin e Kosovës, kishin punuar mjaft në senzibilizimin e çështjes kombëtare shqiptare dhe dinamizimin e procesit të shpalljes së pavarësisë. Mirëpo kjo nuk do të thotë që këta patriotë ishin të izoluar dhe vepronin kokë në vete, përkundrazi veprimet e tyre ishin mjaftë mirë të koordinuara me veprimtarinë e patriotëve tjerë të viseve tjera të Shqipërisë. Kjo do të thotë që veprimtaria patriotike dhe atdhetare e këtyre krerëve të Karadakut ishte e ndërlidhur me zgjidhjen e drejtë të kauzës shqiptare me qëllim të mëvetësimit të Shqipërisë dhe ruajtjes së hapësirës gjeografike etnike shqiptare. Pa dyshim që këta udhëheqës të kësaj popullate që vepronin në këtë hapësirë gjeografike etnike shqiptare ishin nën ndikimin e frymës iluministe të Rilindjes Kombëtare shqiptare dhe këto vlera edukativo-arsimore kishin filluar t’i shpërndanin në popullatën vendase–popullatë e cila kishte etje të madhe për arsimim dhe dituri.Duke u nisur nga fakti se liria dhe pavarësia e popullit shqiptarë kërkonin një socializim politik tjetërfare, një mënyrë tjetër të të menduarit dhe formim të një opinioni tjetër publik, krerët udhëheqës të kuvendit të Karadakut këto vlera i kishin gjetur pikërisht në veprimtarinë iluministe dhe patriotike të Rilindjes Kombëtare dhe dëshironin ti përhapnin në popullatën vendore. Këto performansa më vonë do të bëhen pjesë të pandashme të proceseve politike në tërë hapësirën etnike shqiptare dhe më gjerë. Pa hamendje mundë të thuhet që baza ideore, ideologjike dhe kulturore-politike e kësaj mënyre të re të të menduarit krijoi vlera të atilla kulturore të cilat në vazhdimësi kishin ndikuar në ngritjen e vetëdijes politike kombëtare- vetëdije e cila më vonë do t’i dinamizojë proceset politike shqiptare si në aspektin parcial ashtu edhe në aspektin global dhe do të rezultojnë me shpalljen e pavarësisë dhe krijimin e shtetit shqiptarë.Vlerat me përmbajtje politike, kulturore e arsimore të veprimtarisë së kuvendit të Karadakut u vunë në shërbim të çlirimit edhe të kësaj pjese të popullit shqiptarë nga pushtuesit si pjesë organike e trungut etnik shqiptar, por duke i marrë parasysh kushtet dhe rrethanat politike të kohës këto pjesë mbetën jashtë trungut etnik shqiptar. Kjo premisë do të realizohet dhe jetësohet vetëm me arsimimin dhe edukimin efektiv të popullsisë shqiptare e cila do të ndikoj në formimin e një botëkuptimi të ri i mbështetur në arsye për definimin dhe interpretimin e fenomeneve shoqërore duke pasur parasysh shoqërinë shqiptare me të gjitha elementet historike, politike, ekonomike, sociale, kulturore etj. Ky botëkuptim i ri do të jetë pjesë përbërëse e aspiratave dhe dëshirave të shqiptarëve për një shoqëri të re e cila do të ishte pjesë edhe e vlerave evropiane. Ky botëkuptim i ri është rezultat i lëvizjeve kulturore të cilat kishin ndikuar te popullata për ngritjen edhe të vetëdijes politike. Në këtë drejtim një rol të pazëvendësueshëm do ta luante paraqitja e Abetares shqiptare nga iluministi i madh shqiptar Jashar Erebara dhe bashkëmendimtarëve të tij. Kjo abetare me vlera të larta edukative, arsimore dhe didaktike i kishte dhënë edhe rezultatet e veta kombëtare në popullatën e kësaj ane duke ngritur vetëdijen politike dhe emancipimin e përgjithshëm politik të tyre. Veprimtaria e udhëheqësve të Kuvendit të Karadakut karakterizohej me mbajtjen e fjalimeve të tyre për gjendjen ekonomike, shoqërore dhe politike të Shqipërisë, për luftën e popullit për çlirim nga pushtuesit e huaj, për kulturën kombëtare racionaliste, për gjuhën, për shkollën, si dhe përgatitjen e popullatës për veprime ushtarake. Veprimtaria patriotike e Kuvendit të Karadakut përveç komponentës politike dhe kulturore e kishte edhe komponentën ushtarake. Përmes jetësimit të kësaj komponente ky kuvend kishte arritur të rekrutonte dhe t’i përgatiste për luftë një numër të konsiderueshëm të luftëtarëve shqiptarë të kësaj treve të cilët ishin përgatitur profesionalisht dhe moralisht për çlirimin e atdheut dhe shpalljen e pavarësisë së vendit.
Ideja kryesore që i bashkonte patriotët shqiptarë të kësaj periudhe historike ishte qëndrimi i tyre atdhedashës dhe çlirimdashës që ishte një imperativ i kohës të cilin e kërkonte realiteti ri shqiptarë. Qëllimi kryesor i pikëpamjeve iluministe të Kuvendit të Karadakut ishte çlirimi kombëtar dhe vënia e një baze të fuqishme të shtetit të ardhshëm shqiptar. Këta intelektual të denjë ishin të vetëdijshëm se pa një gjuhë të shkruar letrare dhe kombëtare kombi nuk mund të çlirohet dhe të përparohet sikur shtetet tjera të përparuara evropiane.
Lëvizjet e ndryshme shoqëroro-politike që ishin pjesë e kohës dhe hapësirës së caktuar të asaj periudhe të caktuar historike, kërkonin një bazament dhe mbështetje të fuqishme ideore, ideologjike dhe edukativo-arsimore të cilat më vonë përfunduan me një socializim politik i cili ishte i rëndësishëm për proceset politike të popullit shqiptarë. S’do mend se këto vlera ishin pjesë përbërëse e programit politik dhe ushtarak të Kuvendit të Karadakut e të cilat ndikuan në zgjimin, ngritjen dhe kultivimin e ndërgjegjes kombëtare si dhe luftën për pavarësi dhe bashkim kombëtarë. Veprimtaria patriotike e Kuvendit të Karadakut po edhe e vilajeteve tjera shqiptare kishte ndikuar në ngritjen e vetëdijes nacionaliste. Kjo vetëdije nacionaliste kishte ndikuar në formimin e qenies kombëtare dhe shtetin e tyre kombëtar.
Pa dyshim se në këtë drejtim një rol tepër të madh në përshpejtimin e shpalljes së pavarësisë dhe themelimin e shtetit shqiptar ka dhënë edhe Kuvendi i Karadakut të Kumanovës me udhëheqësit e tij ushtarak, politik dhe intelektual të kësaj treve të cilët kishin një lidhje organike me Vilajetin e Kosovës. Kjo do të thotë që veprimtaria patriotike dhe atdhetare e këtyre krerëve të Karadakut ishte e mishëruar thellë me zgjidhjen e drejtë të kauzës shqiptare me qëllim të mëvetësimit të Shqipërisë dhe ruajtjes së hapësirës gjeografike etnike shqiptare. Kuvendi i Karadakut të Kumanovës përveç që dha kontribut në përshpejtimin e shpalljes së pavarësisë dhe formimit të shtetit shqiptar, ai kontribuoi edhe në drejtim të organizimit dhe përgatitjes së gjinisë mashkullore për luftë kundër pushtuesve të huaj. Thuhet se brenda një kohe të shkurtër udhëheqësit e këtij kuvendi kishin mobilizuar mbi dymijë luftëtarë të cilët ishin në gjendje ti mbronin familjet e tyre dhe atdheun në tërësi. Për gjithë këtë veprimtari kombëtare të këtyre patriotëve të Karadakut ekzistojnë fakte dhe argumente të fuqishme historike të cilat flasin për përkushtimin e tyre për pavarësi dhe për një Shqipëri etnike natyrale si shtet i përbashkët për të gjithë shqiptarët ku do të integroheshin katër vilajetet shqiptare.
Patriotët shqiptarë që e mbajtën Kuvendin e Karadakut të Kumanovës ishin përfaqësuesit më të denjë të popullit të kësaj hapësire të cilët ishin të etshëm për liri dhe në këtë aspekt nuk e kursyen as jetën e tyre në luftërat e njëpasnjëshme me pushtuesit e huaj. Krerët politik dhe ushtarak të trevës së Karadakut të Kumanovës tek popullata e kësaj ane kishin ndikuar në ngritjen e vetëdijes kombëtare dhe politike dhe ky socializim politik kishte ndikuar në ngulitjen e atdhedashurisë dhe dëshirën e madhe për tu çliruar dhe për ta fituar lirinë e shumëpritur. Pikërisht veprimtaria patriotike e Kuvendit të Karadakut dhe udhëheqësve të tij duke u bazuar në këto vlera të lirisë dhe të atdhedashurisë, kishte ndikuar në dinamizimin e proceseve shoqërore të cilat më vonë në koordinim me pjesët tjera të hapësirës etnike shqiptare do të mundësojnë shpalljen e pavarësisë dhe formimin e shtetit shqiptarë në Ballkan.
Se vërtetë ky Kuvend kishte luajtur rol të rëndësishëm në shpalljen e pavarësisë këtë e argumentojnë faktet historike se shumë patriot shqiptar e veçanërisht Hasan Prishtina kishin dhënë idenë që pavarësia e Shqipërisë të shpallet pikërisht në Shkup e jo gjetiu sepse Shkupi ishte kryeqendra e Vilajetit të Kosovës si një qendër me pozitë gjeostrategjike shumë e rëndësishme për zgjidhjen e çështjes kombëtare shqiptare ku shumë prej këtyre patriotëve ishin edhe udhëheqës dhe bashkëveprimtarë të Kuvendit të Karadakut. Kam i bindur se më vonë veprimtaria e Kuvendit të Karadakut të Kumanovës do të hulumtohet edhe më detajisht në aspektin shkencor dhe do të ndriçohen përfundimisht vlerat e tij madhore historike, politike, ushtarake dhe kombëtare të cilat janë një hallkë shumë e rendësishme në zinxhirin e madh të zgjidhjes së çështjes shqiptare në Ballkan.
Përfundim
Viti 1912 në aspektin historik dhe kombëtar është një datë emblematike për shqiptarët sepse në këtë vit shpallet pavarësia e Shqipërisë dhe formohet shteti shqiptarë në Ballkan. S’do mend se kjo pavarësi ishte gjysmake dhe nuk i përfshinte të gjitha trojet etnike shqiptare sepse jashtë shtetit shqiptar mbeti gati gjysma e territorit nën administrimin e shteteve fqinje siç ishte Çamëria në Greqi, Kosova nën Serbi, një pjesë nën Malin e Zi, Lugina e Preshevës nën Serbi dhe pjesa shqiptare në Maqedoni. Megjithatë shpallja e kësaj pavarësie e kishte rëndësinë e vet sepse në hartën botërore figuronte një shtet shqiptarë si pasardhës i pellazgëve dhe ilirëve në gadishullin ballkanik ku në një mënyrë do ta ngrinte zërin edhe për pjesët tjera të territorit shqiptarë. Përveç kësaj shpallja e pavarësisë së Shqipërisë mundësoi ndalimin e grabitjes së mëtutjeshme të territoreve shqiptare sidomos nga vendet fqinje. Në shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë kanë kontribuar shumë faktorë:unifikimi i veprimeve patriotike të shqiptarëve në të gjitha katër vilajetet shqiptare, veprimtaria racionaliste, arsimore dhe iluministe e Rilindjes kombetare shqiptare si dhe veprimtaria patriotike dhe atdhetare e Kuvendit të Karadakut të Kumanovës. Të gjithë këta faktorë bashkërisht kishin ndikuar në përshpejtimin e pavarësisë duke iu ofruar popullatës një mënyrë tjetërfare të të menduarit mbi proceset shoqërore, nxitjen e qëndrimeve nacionaliste në popullin shqiptar që ishte i domosdoshëm për themelimin e shtetit shqiptar, motivimi për ta fituar lirinë dhe çlirimin nga pushtuesit e huaj në bazë të parimit të vetëvendosjes deri në shkëputje dhe mobilizimin e popullit për mbrojtjen e atdheut edhe në mënyrë ushtarake.
Literatura e përdorur:
- Prof. Dr. Ramiz Abdyli “Lëvizja kombëtare shqiptare 1911-1912, Libri 2.Prishtinë, 2004
- Zejnulla Gruda “E drejta ndërkombëtare publike”, f. 69, 2007
- Esat Stavileci “Rrugëtimet dhe labirintet e Kosovës dhe të shqipëtarëve”f. 155, Gjakovë, 2009
- Shaban Braha “Gjenocidi serbomadh dhe qëndresa shqiptare 1844-1990”, f. 23, Gjakovë, 1991
- Masar Stavileci “Iluminizmi në letërsinë e Rilindjes Kombëtare shqiptare”, f. 163, Rilindja, Prishtinë 1990
- Erik Hobsbaun “Naciite i nacionalizmot”, f. 17, Kultura Shkup-1993
342.22 (091) (496.5)
316.334.3:321 (091) (496.5)
[1]Zejnullah Gruda, “E drejta ndërkombëtare publike”, f. 69, 2007.
[2] Esat Stavileci “Rrugëtimet dhe labirintet e Kosovës dhe të shqiptarëve”, f.155, Gjakovë, 2009
[3] Shaban Braha “Gjenocidi serbomadh dhe qëndresa shqiptare 1844-1990”, f.23, Gjakovë, 1991
[4] Dr. Pajazit Nushi, Pasthënie e librit të Akademik Esat Stavileci “Rrugëtimet dhe labirintet e Kosovës dhe të shqiptarëve”, f. 783.
[5] Z.Gruda, ibid., f. 69.
[6] Dr. Pajazit Nushi, Pasthënie e librit të Akademik Esat Stavileci “Rrugëtimet dhe labirintet e Kosovës dhe të shqiptarëve”, f. 786.
[7] Masar Stavileci “Iluminizmi në letërsinë e Rilindjes Kombëtare shqiptare”, f. 163, Rilindja, Prishtinë 1990.
[8]Erik Hobsbaun “Naciite i nacionalizmot”, f.17, Kultura Shkup-1993.
[9]Erik Hobsbaun,ibid,f.56-57.
[10]Esat Stavileci, ibid, f.43.
[11] Prof.Dr.Ramiz Abdyli, “Lëvizja kombëtare shqiptare 1911- 1912”, Libri 2, f.323, Prishtinë, 2004.(Dokumenti në të cilin u bazua autori është: “Политика”, бр.3048, Београд, 14(27) VII.1912, Анархија у Турској2)